Telegrafi

Arrestimi i njërit nga administratorët e grupit “Albkings” që shpërndanin foto intime, Haxhiu: Uroj që ky rast të trajtohet me seriozitet

Pas arrestimit të një personi i cili është i dyshuar si pjesëtarë i grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, ku bëhej shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social e ka mirëpritur arrestimin e administratorit, të cilin e quajti “grupi më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë ‘Albkings’ “.

Sipas saj, ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave.

Lexo po ashtu Arrestohet njëri nga administratorët e grupit "Albkings", për shpërndarjen e fotografive intime në "Telegram"

“Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura.

Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona. Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo tha se secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë.

“E vlerësoj punën e policisë dhe prokurorisë deri më tani”, ka thënë Haxhiu. /Telegrafi/