Site icon Telegrafi

Arrestimi i Naim Murselit, Pacolli i shokuar: E pabesueshme dhe e trishtueshme

Pas lajmit se është arrestuar Naim Murseli si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e bashkëshortes së tij Liridonës, ka reaguar kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Pacolli, këshilltar i të cilit ishte Naim Murseli, derisa kreu i AKR-së ishte president i vendit, e ka cilësuar të pabesueshëm dhe të trishtueshëm kryerjen e aktit kriminal.

“Sot, fëmijët dhe familia kanë varrosur Liridonën, një vajzë dhe nënë të re e cila u vra mizorisht. Jam ende i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën e kam njohur personalisht. Sot dhe çdo ditë, lutjet dhe mendimet e mia janë me fëmijët dhe familjen e Liridonës”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

“I pergezoj policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër (akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë”, ka shkruar ai.

Lexo po ashtu Dorasi ka deklaruar se është paguar nga Naim Murseli për vrasjen e Liridona Murselit

“Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj. E pabesueshme dhe e trishtueshme. Jam ende i shokuar!”, ka shkuar ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona lidhur me vrasjen e Liridone Ademaj-Murselit, kurse njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli – bashkëshorti i viktimës.

Policia ka thënë se pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e vrasjes.

Ndërsa, burime të Telegrafit bëjnë të ditur se autori, që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në Polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Naim Murseli për të kryer krimin.

Murseli dhe autori i dyshuar janë bashkëfshatar.

Ndryshe, Policia në njoftimin e saj ka konfirmuar se me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, ka pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

“Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.

“Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, thuhet në komunikatën e Policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version