Hasan Dakaj nga Prizreni, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar mëngjesin e së premtes nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar në Merdar, ndërsa aktualisht gjendet në burgun e Kurshumlisë.
Avokati i tij, Xhevdet Smakiqi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se arrestimin e tij e konsideron më shumë si një çështje politike se sa juridike.
Ai tha se nuk ka arritur që të flas me klientin e tij, ndërsa tregoi se të premten Dakajt i është lejuar të kontaktoj vetëm me familjarët e tij.
“Klientit tim i është lejuar të kontaktoj me familjen e tij dje, i cili ka treguar se gjendet në qendrën e ndalimit në Kurshumli. Shqetësimet dhe ankthi i familjarëve është shumë i madh”, u shpreh ai.
Smakiqi po ashtu tha se të gjitha veprimet e nevojshme ligjore i ka ndërmarr të premten, ndërsa ende deri më tash nuk ka ndonjë informacion të ri në lidhje me rastin.
“Ashtu siç kam deklaruar i kam ndërmarrë të gjitha veprimet duke kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe kam kontaktuar direkt edhe me të ngarkuarin në Zyrën ndërlidhëse të Kosovës, Jetish Jashari dhe jemi në koordinim me të, për të koordinuar të gjitha veprimet dhe aktivitetet me ndërmjetës ndërkombëtar që klienti jonë të lirohet sa më shpejt”, ka thënë Smakiqi.
Ndryshe, pas arrestimit të Hasan Dakaj pati reagime nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) si dhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca theksoi se ky është një sinjal i rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.
Ai tutje ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.
Po ashtu edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka njoftuar se përveç ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, është arrestuar edhe një qytetar tjetër Xhavit Daka, por i cili është liruar tashmë.
MPJD-ja ka deklaruar se lidhur me këtë situatë ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Po ashtu, ka thënë se janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/