Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se siguria në pikat kufitare është në nivelin maksimal, teksa bëri të ditur se tashmë janë zëvendësuar zyrtarët policorë që janë arrestuar.
Mehmeti këtë deklaratë e bëri në konferencën e thirrur për media, ku edhe dhanë detaje lidhur me operacionin “Pika”, ku nën pranga u vendosën 50 zyrtarë policorë, transmeton Telegrafi.
“Fakti që policia dhe institucionet e shtetit e kanë vullnetin që të luftojnë korrupsionin, nënkupton që ne duhet të ndihemi mirë. Nuk është ndjenjë e mirë kur korruptohen zyrtarët policorë. Ky hetim ka nisur që një vit. Siguria në pikat kufitare është në nivelin maksimal. Sot duhet të ndihemi më mirë se dje për shkak se janë arrestuar zyrtarët policorë të korruptuar, ata tashmë janë zëvendësuar”, deklaroi ai.
Mehmeti tha se puna në pikat kufitare është duke u zhvilluar në mënyre normale. /Telegrafi/