Site icon Telegrafi

Arrestimi i 35-vjeçares në Prishtinë për mashtrim me terminë për viza, Policia: Viktimat e rastit të lajmërohen në Polici

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një 35-vjeçare në Prishtinë e cila dyshohet se ka mashtruar së paku nëntë persona, duke marr shuma të ndryshme parash me premtimet për terminë për viza.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se hetuesit e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, të hënën në mbrëmje menjëherë pas raportimit të rastit kanë arrestuar të dyshuarën.

“A.B. femër 35 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi që dyshohet të kenë marrë nga së paku 9 persona, shuma të ndryshme parash, duke ju premtuar terminë për viza pune”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë rast policia ka sekuestruar: disa pasaporta, 2 telefona, shtëpizë kompjuteri dhe një shumë të parave etj.

“Mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar.

Andaj, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version