Telegrafi

Arrest shtëpiak për të dyshuarin që sulmoi gazetarët në veri të Mitrovicës

Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh të dyshuarit për sulm gazetarëve në veri të Mitrovicës.

Në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin, M.Gj nga Mitrovica, i dyshuar për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar“.

Ndalimi i të dyshuarit ka ardhur pas një sulmi që i njëjti ka bërë me datë 23 mars ndaj ekipit të gazetës Blic, të cilët kishin shkuar në veri të Mitrovicës për të bërë një kronikë rreth situatës me pandeminë e koronavirusit, transmeton Telegrafi.

Që nga dita e sulmit ndaj gazetarëve, i dyshuari ka qenë në arrati, dhe është arrestuar ditën e enjte me datën 02 prill.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ditën e sotme me datë 04 prill i ka caktuar të dyshuarit masën e arrestit shtëpiak prej një muaji. /Telegrafi/