Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurit A. Rr.
Në një njoftim për media nga kjo gjykatë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar në organizatën ndërkombëtare UNHCR – Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në vazhdimësi ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ka kontaktuar me persona, duke i’u premtuar ndërtimin e shtëpive dhe ndarjen e makinave të ndryshme për bujqësi.
Sipas njoftimit, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë tjetër alternative, do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/