Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj arrest shtëpiak Maliq Berishës, drejtor i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.B dhe të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Të pandehurit M.B i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, ndërsa në rast të mosrespektimit të masës së arrestit shtëpiak, gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit për të pandehurin M.B”, ka thënë Gashi.
Maliq Berisha është ndaluar ditë më parë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i autoritetit zyrtar”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e M.B., Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë Kosovës, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas KPRK-së”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje thuhej se ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime të mëtejme ligjore, si dhe për këtë çështje penale do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me Policinë. /Telegrafi/