Faton Hajriz, i cili është arratisur nga burgu i Smrekonicës, po vazhdon të shfaqet në platforma sociale.
Në TikTok, ai ka hapur një llogari në emerin e tij, teksa shfaqet “Live”, në mënyrë të vazhdueshme, duke rrëfyer historitë e tij brenda burgjeve të Kosovës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla javë më parë tha se kapja e Faton Hajrizit, është çështje orësh apo ditësh.
Sveçlës i është përgjigjur Hajrizi në Tik Tok.
Hajrizi më ton kërcënues tha se nuk do të kthehet më në burg – e nëse ndodh një gjë ë tillë pa marrëveshje, thotë se do të ndodhin ngjarje të paparashikuara.
“Nuk shkoj ma në burg, një gjë po du me ju thënë, se e di që po i publikojnë në gazeta këto fjalët e mia, por nuk e kam dert. Nëse vjen puna me shku në burg, pa marrëeshje, pa ma falë burgun, mbajeni në mend çka po ju them, shijoni këto momente, se nuk shihemi ma, nëse vjen puna me shku në burg, dikush ka me pësu rëndë. Unë po se po, por edhe pala tjetër mundet me pësu”, tha Hajrizi.
Tutje pretendon se e ka kryer burgun, dhe se nuk i frikësohet shtetit.
“Nuk shkoj më në burg se e kam kryer burgun. Lëvizim ndryshe, mundemi me u konfrontu keq. Nuk i njoh këta llaskuca, nuk ia kam frikën as shtetit as Njësisë Speciale. Nuk e kam dert për ta hiç”, tha Hajrizi gjatë një paraqiteje drejtpërdrejt në Tik Tok.
Ndryshe, për të nëntën herë, i burgosuri Faton Hajrizi, ka arritur të arratiset nga burgu, i njëjti tashmë është shpallur në kërkim nga ana e policisë.
Hajrizi në moshën 15 vjeçare, në vitin 2000 kishte vrarë një ushtar rus, sipas tij, vrasjen e ka kryer pasi ushtari rus kishte sharë popullin shqiptar, transmeton Telegrafi.
Lidhur me largimin e tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë disa sqarime, duke treguar se ai ishe larguar edhe disa herë nga institucionet korrektuese.
Në komunikatë theksohet se i dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj.
“Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale”, vijon njoftimi.
Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate., ndërsa, zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.
Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat. /Telegrafi