Site icon Telegrafi

“Arratisjet janë cytur nga Serbia”, Miftaraj: Deklaratat e pabazuara të zyrtarëve cenojnë integritetin e institucioneve të Kosovës

Arratisja e Faton Hajrizit për herë të nëntë nga burgu e më pas raportimet për vrasjen e tij në Serbi, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe ka nxitur reagime të shumta nga zyrtarë të lartë të vendit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë deklarata të fuqishme duke theksuar se në arratisjen e të burgosurve, mund të jetë e përfshirë Serbia.

“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, kishte shkruar ministrja.

Pas kësaj deklarate, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ftuar për intervistim ministren Haxhiu, për të sqaruar pretendimet e saja.

Lexo po ashtu Haxhiu: Informacionet janë kundërthënëse, nuk mund ta dimë me siguri që Faton Hajrizi është vrarë - nevojitet hetim për ta zbardhur të vërtetën

Lidhur me këtë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë për Telegrafin se zyrtarët publik duhet të jenë të matur në qëndrime dhe deklarata publike.

“Zyrtarët e lartë publik me theks të veçantë deputetet, ministrat, këshilltarët politik duhet të jenë të matur në qëndrime dhe deklarata publike. Secila deklaratë publike e ministrit përkthehet edhe në qëndrim zyrtar të vet qeverisë apo institucionit që udhëheq. Kur Ministrja e drejtësisë konstaton se Serbia ka gisht në arratisjen e personave nga vuajtja e dënimit në burgjet e Kosovës kjo përbën alarm për sundimin e ligjit dhe rrezikon sigurinë në Kosovë”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka shtuar se pavarësisht, nëse kjo deklaratë është e bazuar në dëshmi, prova apo është vetëm një propagande e Ministrisë, dëmi është i pariparueshëm pasi kjo sipas tij cenon rëndë integritetin dhe besimin e publikut në institucionet e republikës së Kosovës.

Lexo po ashtu Deklaratat për Faton Hajrizin, ministrja e Drejtësisë intervistohet nga Prokuroria Speciale

“Është obligim i PSRK të sqaroj të gjitha rrethanat lidhur me këtë rast dhe të hetoj rastin për të zbuluar nëse deklaratat e ministres janë deklarata të pabazuara apo të mbështetura në dëshmi.  Në secilin variant PSRK pas hetimit duhet të zbardh të vërteten dhe të informoj publikun”, ka thënë Miftaraj.

Ndryshe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se dje është intervistuar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, lidhur me postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, ku ajo shprehet për arratisjet që kanë ndodhur nga burgjet e Kosovës.

Prokuroria Speciale konfirmoi se intervistimi i ministres Haxhiu për sqarimin e këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe sot. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version