Telegrafi

Arratisje apo largime? Kundërthënie mes ministrive për ikjet e fundit nga burgjet e Kosovës

Ikjet e fundit nga burgjet i kanë nxjerrë sot në një konferencë për media Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë. Përfaqësues nga këto dy institucione folën rreth niveleve të sigurisë në qendrat korrektuese nga ku ikën Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj. SHKK dhe MD insistojnë se këto veprime të burgosurve  janë largime dhe jo arratisje. Por njohës të legjislacionit kanë vlerësime të tjera.

Arratisje nga burgu e quante ikjen e Faton Hajrizit një ditë më parë ministri Xhelal Sveçla.

Megjithatë, në një konferencë për media të shtunën dolën në pah kundërthënie sa i përket terminologjisë.

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, këtë veprim po e konsiderojnë si largim.

Lexo po ashtu Xhelal Sveçla nuk e konsideron të arratisur Enver Sekiraqën, i përgjigjet Faton Hajrizit

Largim po e quajnë edhe ikjen nga burgu i Dubravës të Ujkan Metajt, që ishte i dënuar me 11 vjet burgim për vjedhjen e një banke në Istog, ku kishte mbetur i vrarë një polic.

Raste të tilla, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se ka pasur edhe në të kaluarën, e sipas tij, mund të ketë edhe në të ardhmen.

“Largime nga njësitë e qendrave korrektuese të tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në vazhdimësi, sepse këto institucione nuk i nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë, për shkak se qëllimi i tyre është realizim i programeve avancuese ndaj të burgosurve që i nënshtrohen rehabilitimit dhe ri integrimit të tyre në shoqëri”, tha Sallahu.

Lexo po ashtu Largimi i Faton Hajrizit dhe i të burgosurit tjetër - drejtori i burgjeve thotë se ata do të kthehen në institucione të tipit të mbyllur

Ikja nga qendra korrektuese e tipit të hapur, sipas Sallahut, nuk quhet arratisje por largim.

Mirëpo, me këtë vlerësim të tij nuk pajtohet avokati Xhevdet Smakiqi, i cili thotë se ligji nuk parasheh vepër tjetër pos arratisjes.

“Kodi Penal nuk njeh vepër penale të largimit nga Institucioni Korrektues dhe as vepër penale të largimit nga burgu të personit në vuajtje të dënimit me aktgjykim të formës se prerë dhe në pritje të dënimit me vendim te ligjshëm të gjykatës”, tha Smakiqi.

Lexo po ashtu Drejtori i Qendrës Korrektuese në Smrekonicë: Faton Hajrizi nuk është arratisur, ai është larguar

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani tha në konferencë se Hajrizi dhe Metaj kanë pasur benificione për shkak të sjelljes së mirë.

“I dënuari Faton Hajrizi ka qenë i dënuar prej 25 vitesh, ai ka përfunduar 1/2 e dënimit në vitin 2019 dhe sipas legjislacionit në fuqi i dënuari i cili kalon 1/2 e dënimit, ka të drejtë ta kalojë vikendin në shtëpi. I njëjti për disa herë ka shfrytëzuar këtë mundësi, pra e ka kaluar vikendin në shtëpi por është rikthyer në burg, po ashtu i dënuari tjetër ka qenë i dënuar më 11 vite dhe i njëjti në janar të këtij viti e ka fituar të drejtën për ta shfrytëzuar vikendin në shtëpi”, tha ai.

Për të dy tha se do t’i humbin këto benificione kur të bien prapë në burg.

Lexo po ashtu Ish-kryetari i Apelit, Shala: Faton Hajrizi ka qenë i njohur për arratisje, dikush duhet të marrë përgjegjësi

Kurse, Dibrani tregoni numrin e personave që kanë ikur nga burgjet e Kosovës gjatë 17 viteve të fundit.

“Nga viti 2007 deri më tani, përjashto qendrën me masa edukative për të miturit, në institucionet korrektuese, në institucionet e paraburgimit në qendrat korrektuese kemi 56 persona të cilët nuk janë kthyer nga vikendi apo janë larguar nga tipi i hapur, apo arratisur”, tha ai.

Përveç Hajrizit dhe Metajt, në kërkim nga Policia e Kosovës janë edhe Enver Sekiraqa dhe Marko Roshiq, të cilët nuk kanë zbatuar urdhrin e gjykatës për të vuajtur dënimin dhe janë në arrati./TV Dukagjini/