Trajneri i ri i Liverpoolit, Arne Slot, ka zbuluar arsyen pse ka vendosur që ta pranojë mundësinë për t’u bërë trajner i “Të Kuqve”.
Emërimi i Slotit si trajneri më i ri i Liverpoolit u bë zyrtare nga uebfaqja e klubit vetëm 24 orë pasi Jurgen Klopp drejtoi ndeshjen e tij të fundit, duke i dhënë fund aventurës nëntëvjeçare në ‘Anfield’.
Slot do të marrë zyrtarisht drejtimin e Liverpoolit më 1 qershor, duke u larguar nga Feyenoordi pasi i riktheu ata në futbollin evropian në tri vitet sa ishte në krye të tyre.
Tani, në një intervistë të re, 45-vjeçari ka zbuluar se ishte një mundësi që ai thjesht nuk mundi ta refuzonte.
“Ishte natyrisht një vendim jo i lehtë për t’i mbyllur derën një klubi ku keni përjetuar shumë momente të mrekullueshme dhe keni punuar në mënyrë të suksesshme me kaq shumë njerëz të mrekullueshëm”, ka thënë fillimisht Slot.
“Por si një njeri i sportit, një mundësi për t’u bërë trajner në Ligën Premier, tek njëri prej klubeve më të mëdha në botë, është e vështirë të injorohet”.
Ka pasur shqetësime në lidhje me emërimin e Slot, jo vetëm për shkak se ai duhet të ndjekë hapat e Kloppit, por për shkak të faktit se po vjen nga Holanda, aty nga vjen edhe trajneri i Man Unitedit, Erik Ten Hag, i cili në Holandë kishte shkëlqyer, por në Angli ka dështuar./Telegrafi/