Telegrafi

Arne Slot shpjegon rregullin e rreptë që e ka sjellë tek Liverpooli pas largimit të Klopp

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka zbuluar ndryshimin e madh që ka bërë në klub që prej se mori përsipër detyrën pas largimit të Jurgen Klopp.

Slot u emërua si trajner i Liverpoolit gjatë muajit korrik, pas largimit të Kloppit i cili pati nëntë vite të suksesshme në Angli.

Që prej se u bë pjesë e tyre, tekniku holandez ka mahnitur tifozët e Liverpoolit pasi ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e luajtura deri më tani këtë sezon, duke mos pësuar më shumë se një gol për ndeshje.

Dhe tani, Slot ka zbuluar një ndryshim të cilin ai ka vendosur që ta implementojë pas emërimit në krye të Liverpoolit dhe kjo mund ta shpjegojë suksesin e tij deri më tani.

“Këtu tashmë kishte një kulturë të mirë të lojtarëve sa i përket ardhjes në kohë, kështu që e urrej të flas për gjobat dhe këso lloj gjërash për lojtarë që janë vonë”.

“Por kjo kulturë tashmë ishte këtu, kështu që ndoshta e vetmja, nuk jam i sigurt nëse është një rregull, por ata shkonin në hotele një ditë para ndeshjes dhe këtë e kemi ndryshuar, sepse unë dhe stafi im mendojmë se vendi më i mirë për të fjetur është shtrati yt, kështu që ju jep pushimin më të mirë të mundshëm”, ka thënë Slot.

“Kjo është vetëm një nga pak gjëra që kemi ndryshuar, kështu që para një ndeshje si vendas lojtarët janë në shtëpitë e tyre, në shtratin e tyre, dhe jo në hotel”, përfundoi ai.

Liverpooli gjatë vikendit do të udhëtojë në ‘Selhurst Park’ atje ku do të ndeshet me Crystal Palace para pushimit të dytë me kombëtare./Telegrafi/