Nga: Auron Tare
Në Leskovik qëndrova një natë për të parë se çfarë trashëgimie kulturore ruan ende kjo qytezë. Tani është pothuaj i braktisur, por dikur Leskoviku njihej si qyteti me shtatë pashallarë. Secili kishte ngritur sarajet e veta të rrethuara me vreshta dhe trëndafila. Njerëz që kishin bërë histori në hapësirat e pamata të Perandorisë ishin kthyer në vendlindjen e tyre në buzëmbrëmjen e jetës si për të gjetur qetësinë midis atyre maleve me bukuri të rrallë.
Pyeta se ku mund t’i gjeja varret e këtyre pashallarëve. Disa banorë më thanë se pllakat e varreve ua kishin marrë diku gjatë viteve 1990 dhe i kishin shitur në Greqi. E trishtë, por e vërtetë. Një kapitull që nuk duhet harruar post 1990. Një popull që vjedh pllakat e varreve të të parëve të tyre dhe i shet për pak bukë, nuk mund të ruajë historinë e vet. Ndërkohë, pashallarët e Leskovikut janë tretur dhe nuk dimë shumë për ta, në këtë shkrim po sjell një figurë tjetër të harruar apo të themi shumë pak të njohur në rrethet e historianeve.
Abdurraman Abdi Arnaut Pasha. Me gradën e vezirit. Në një moshë të thyer u dërgua të mbrojë kryeqendrën e territoreve të pushtuara otomane në zemër të Evropës. Qytetin e Budës, që prej 150 vjetësh ishte në zotërimet otomane. Në verën e vitit 1686, Arnaut Pasha u përball me furinë e ushtrisë së Lidhjes së Shenjtë, një formacion i krishterë në modelin e kryqëzatave të dikurshme. I frymëzuar dhe i bekuar nga Papa Inocenti I XI, kjo Lidhje e Shenjtë udhëhiqej nga Mbreti i Polonisë, Republika e Venedikut dhe Perandori austriak, Leopold I.
Abdi Arnauti u bëri ballë këtyre forcave ushtarake evropiane dhe e mbrojti qytetin me shumë sukses. Kjo përballje solli një përballje të re vetëm një vit më vonë dhe siç thamë më lart, në verën e vitit 1686, filloi beteja më e famshme e Lidhjes me otomanët për marrjen e Budës. Ushtria e Lidhjes së Shenjtë kishte në përbërje të saj gati të gjitha nacionalitetet evropiane, përfshirë edhe ushtarë suedezë dhe skocezë. Pas disa muajsh betejash të gjata në muret e Budës, ushtarët e Kryqëzatës mundën të thyejnë mbrojtjen.
Arnaut Pasha, ashtu si një kapiten anijeje që nuk e braktis anijen e tij në mbytje, udhëhoqi sulmin final jashtë mureve, një sulm ky që i solli atij jo vetëm lavdinë si kryekomandant, por edhe respektin e komandanteve evropianë, të cilët dhanë urdhër që vendi ku ra Pashai plak të rrethohej me ushtarë dhe të mos lejohej cenimi i trupit të tij dhe atyre që e ndoqën. Kaq heroik duhet të ketë qenë ky sulm i pashait, saqë piktorët hungarezë e përjetësuan atë në disa tablo me temë rënien e Budës.
Por, respekti i vlerave evropiane për historinë e tyre ka bërë që vendi ku ra dhe u varros Abdurahman Abdi Pasha Arnauti nga fshati Peqin jo vetëm të mos plaçkitej, të ruhej, por edhe t’i ndërtohej një varr për t’iu nderuar vlerat e rralla të trimërisë dhe mos braktisjes së detyrës, edhe pse me një grusht burrash që e ndoqën nga pas. Sot e kësaj dite, në Budën e krishterë evropiane kemi varrin e peqinasit plak të mbrojtur dhe të paprekur si dëshmi e gjallë se si ruhet trashëgimia historike, edhe pse armike.