Le të përfytyrojmë një skenar të tillë: Ministri i Punëve të Brendshme të landit me popullsinë më të madhe del para shtypit. Ai ka për të bërë të ditur një lajm shokues. Është zbuluar një rrjet i madh ekstremistësh tek policia. 29 gra e burra janë liruar nga detyra. Të 29 personat janë përkrahës të rrjetit terrorist të “Shtetit Islamik”. Në grupin e tyre të “chat”-it ata kanë shpërndarë propagandë denigruese dhe kanë ngritur lart dhunën e islamistëve. E, këtë e kanë bërë të pazbuluar prej tetë vitesh.
Por, çfarë do të kishte ndodhur në Gjermani, në një rast të tillë? Tek policia nuk do ishte lënë gur pa lëvizur. Me të drejtë.
Në rastin real të ekstremizmit tek policia nuk bëhet fjalë për islamistë, por për ekstremistë të djathtë. Të 29 policet e policët e liruar nga detyra ishin anëtarë të një grupi në “chat”, ku ndanin imazhe të Hitlerit dhe urrejtje raciste të formës më të ulët, e kjo që nga viti 2012. Një skenar i tmerrshëm edhe ky, dhe madje real.
Po tani? Ministri i Punëve të Brendshme të landit Renani Veriore-Vestfali, nuk mendon të japë dorëheqjen. Kreu më i lartë për sigurinë në Gjermani, ministri federal i Punëve të Brendshme, nuk thotë asgjë, por ministria e tij bën fjalë për “turp”. Sindikata më e madhe e policisë, GdP, në publik e vret mendjen për futbollin në kohë të koronavirusit. Kreu i sindikatës së policisë, zakonisht aktiv në sulme, shan rrugët anësore për biçikleta, socialistët e rinj dhe jep mendim për pranimin e refugjatëve nga Greqia. A kishte edhe ndonjë gjë tjetër këtu?
Megjithë tronditjen e premtimin për zbardhjen e plotë, politika mbetet çuditërisht e paprekur nga zgjatja e mëtejshme e listës me rrjete ekstremiste të djathta tek ushtria dhe policia. Ata ose kanë ndarë me njëri-tjetrin pamje të Hitlerit, simbole të NS-it, kërcënime për vrasje, urrejtje raciste, ose kanë magazinuar armë apo municion.
Për ta bërë edhe njëherë të qartë: këta “shërbëtorë të shtetit” nuk e bëjnë këtë si protestë kundër refugjatëve apo kancelares Angela Merkel; jo, ata janë përkrahës të nazizmit hitlerian që kreu vrasjen e milionave hebrenjve, sintive dhe romëve, kundërshtarëve politikë dhe personave me aftësi të kufizuara. Ata janë armiq të shtetit në uniformë. Çdo zbardhje serioze për strukturat dhe përmasat e racizmit dhe ekstremizmit të djathtë në radhët e policisë gjermane ka dështuar deri tani. Edhe tani ministri Horst Seehofer e ka refuzuar një studim të tillë.
Në një kohë që çështja e dimensioneve të ekstremizmit të djathtë tek policia nuk është e parëndësishme, por në fund të fundit në radhë të dytë. Sepse edhe një rast i vetëm e trondit besimin e qytetareve dhe qytetarëve në autoritetet e sigurisë. Tek kush duhet të drejtohet një person që kërcënohet nga neonazistët? Që i duhet të dëgjojë fyerje raciste? Tek policia? Dhe, këtë me ndjenjë të mirë sigurie? Zor besoj.
Që politika sillet me kaq rutinë ndaj njoftimeve katastrofale që dalin prej aparatit të sigurisë, mund të ketë në fund një arsye: Nuk ka një empati të vërtetë, nuk ka një aftësi për të bashkëndjerë me ata që vuajnë nga ndërlidhjet ekstremiste të djathta brenda policisë. E, këta janë në radhë të parë refugjatë, gjermanë migrantë, njerëz me ngjyrë dhe kundërshtarë të ekstremizmit të djathtë. Solidariteti i shoqërisë me këtë pjesë të madhe të shoqërisë është i zbehtë. Edhe më e dobët është britma e vetë policisë për problemet në radhët e saj, e kjo është tronditëse. /DW/