Stomatologu nga Tetova, Armend Nuhiu, i cili tani punon si përkthyes, është tifoz i madh i futbollit, ndërsa prej në fëmijëri ka pasur pasion mbledhjen e fotografive dhe albumeve të futbollistëve.
Ai prej moshës 9-vjeçare ka filluar të mbledh albumet e Kampionateve Botërore dhe Evropiane dhe sot i posedon të njëjtit që prej vitit 1978.
Në një bisedë për Telegrafi Maqedoni, Nuhiu tha se albumin e parë të cilin ka filluar ta mbledh është ai i Kampionatit Botëror në Spanjë i vitit 1982, kur ka qenë 9-vjeçar.
“Albumi i parë të cilin kam filluar ta plotësoj është ai i vitit 1982 që u mbajt në Spanjë, kur kam pasur 9 vjet. Botërorin e vitit 1982 favoriti im ka qenë reprezentacioni i Francës, që humbi nga Gjermania pas penalltive. E mbaj mend mirë atë lojë. Pas 120 minutave, rezultati ishte 3-3 dhe me penallti humbi Franca. Po ashtu edhe Argjentinën prej atëherë e dua, për shkak të Maradonës”, tha mes tjerash Nuhiu, për Telegrafi Maqedoni.
Ai thotë se ka qenë tifoz i Kombëtares së Argjentinës, ndërsa pas pavarësimit të Kroacisë nga ish-Jugosllavia për shkak të simpatisë që ka pasur për ekipin e Hajdukut të Spilit, ai sot përkrah Kombëtaren e Kroacisë, të cilën e ka ndjekur në çdo eveniment të madh sportiv.
Pjesëmarrja e Kroacisë në Kampionatin Botëror, ka bërë që ai sot të ketë kujtime më mbresëlënëse nga ai i vitit 1998, të cilin reprezentacioni i tij i zemrës u ndal në vendin e tretë.
“Kujtimet më të mëdha dhe më mbresëlënëse i kam nga Kampionati Botëror në vitin 1998 për shkak të Kroacisë, kishte reprezentacion të mrekullueshëm. Mori vendin e tretë, pasi humbi nga Franca 2-1 në gjysmëfinale dhe fitoi Holandën po ashtu 2-1 në luftën për vendin e tretë. Atë vit kampione ishte reprezentacioni i Francës. Po ashtu kujtime të mira kam edhe nga Kampionati i vitit 1986, kur kam qenë 13-vjeçar”, tha Nuhiu.
Ndërkaq, sa i përket Kampionatit Botëror të këtij viti në Rusi, favoriti i Nuhiut mbetet Kroacia, por ka simpati edhe për Belgjikën dhe Anglinë. Por, për shkak të shqiptarëve të cilët luajnë për ekipin e Zvicrës, ai dëshiron që ky ekip të arrijë sa më lart.
Nuhiu ka shumë kujtime për Kampionatet Botërore dhe prej vitit 1978 i mban mend fituesit, finalistët dhe rezultatet.
Ai thotë se edhe pse në fëmijërinë e tij ka qenë e vështirë mbledhja dhe plotësimi i albumeve të Kampionateve Botërore, një gjë të tillë e ka bërë me shumë dëshirë dhe pasion, dhe sot i mban si kujtim i bukur nga fëmijëria e tij./Telegrafi/