Site icon Telegrafi

Armëmbajtje pa leje në Shtime dhe në Ferizaj, një i dyshuar dërgohet në mbajtje

Në rajonin e Ferizajt në dy raste të ndara, në Ferizaj dhe në Shtime policia ka ndaluar dy persona për armëmbajtje pa leje.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se tek një person me inicialet I.Q i moshës 51 vjeçare kanë gjetur armën e zjarrit (pushkë e gjuetisë) me pesë fishekë.

“Më datën 11.12.2024, rreth orës 10:50, policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informatë se në fshatin Mollopolc të Shtimes një person ka me vete një armë zjarri.  Policët e rendit menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin I. Q (M/K), i moshës 51 vjeçar, tek i cili kanë gjetur armën e zjarrit ( pushkë e gjuetisë) me pesë fishekë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të shtetit është liruar për procedurë të rregullt hetimore.

“Ndërsa si provë materiale është sekuestruar armë e zjarrit, e cila ishte dhe me  dokumentacion të skaduar”.

Ndërsa në rastin e dytë, të mërkurën rreth orës 03:40 në rrugën “Reçaku”, në Ferizaj policët gjatë patrullimit kanë ndaluar një veturë dhe gjatë kontrollimit të personave dhe veturës, tek një person me inicialet A.S i moshës 44 vjeçare kanë gjetur një armë zjarri me 10 fishekë.

“Më datën 12.12.2024, rreth orës 03:40, në rrugën ‘’Reçaku’’ në Ferizaj, gjatë patrullimit policët e stacionit të Ferizajt kanë ndaluar një veturë me targa vendore dhe gjatë kontrollimit të personave dhe veturës, tek i dyshuari A.S (M/K) i moshës 44 vjeçar është gjetur një armë zjarri (pistoletë)  me 10 fishkë dhe i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari A.S është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale është sekuestruar arma e zjarrit. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version