Site icon Telegrafi

Arma sekrete e Churchillit në luftën kundër nazistëve!

Nga: Clare McHugh
Përkthimi: Telegrafi.com

Mund ta quash me gjashtë emrat e saj: Pamela Beryl Digby Churchill Hayward Harriman – një aristokrate britanike që përfundoi si një lojtare e fuqishme në Uashington dhe ambasadore e ShBA-së në Francë, duke ndikuar në jetën e shumë të famshmëve në politikën dhe kulturën e shekullit XX. Kur ishte vetëm 20 vjeçe, vjehrri i saj, Winston Churchill, e angazhoi si “armën e tij më të gatshme dhe më të përkushtuar sekrete” [siç thotë një biografi e re], dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo doli për pije dhe darka dhe joshi amerikanët e rëndësishëm, duke i bindur për kauzën britanike kundër nazistëve. Më vonë, ndikimi i saj u zgjerua më tej kur bashkëveproi me figura publike si familja Kennedy, Bill Clinton, Nelson Mandela dhe Truman Capote – i cili më pas e satirizoi atë në një shkrim, krahas “mjellmave” të tjera të tij.

Kanë kaluar më shumë se 27 vjet qëkur Pamela Harriman pësoi një hemorragji fatale cerebrale gjatë notit në pishinën e hotelit “Ritz” të Parisit, por prapë mbetet një personazh përçarës, siç dëshmohet nga reagimet e ndryshme ndaj biografisë së re të Sonia Purnellit, Vendimmarrësja: Jeta e mahnitshme e Pamela Harrimanit – fuqi, joshje dhe intriga [Kingmaker: Pamela Harriman’s Astonishing Life of Power, Seduction, and Intrigue]. Për disa, libri lexohet si një vlerësim i një gruaje me ndikim, që jetoi me guxim, zgjuarsi dhe ambicie në Britani, Evropë dhe ShBA. Të tjerët e konsiderojnë si tepër lavdërues për një grua që përdori seksin për të përparuar dhe ndikimi politik i së cilës, sipas tyre, është tepruar.

Lindi në vitin 1920 si bija e një baroni të varfër që e edukoi për “të realizuar një martesë të mirë”, por Pamela nuk arriti të gjente një burrë gjatë “sezonit” të saj të parë në Londër në vitin 1938. Nancy Mitford, motra më cinike mes motrave të famshme Mitford, e përshkroi adoleshenten Pamela si një “gjë të vogël me flokë të kuqe”. Vitin tjetër, Randolph Churchill, i biri i vetëm i të famshmit Winston, i telefonoi për t’i kërkuar një takim. I bindur se do të vritej në luftën që sapo ishte shpallur, Randolphi donte të kishte një djalë. Gjatë darkës me Pamelan, ai kaloi shpejt deri te qëllimi. Purnell shkruan: “Ai nuk e donte atë … por, ajo dukej mjaft e shëndetshme për të lindur fëmijën e tij”. Pamela, e etur për t’u larguar nga një jetë shumë e mërzitshme me prindërit në Dorset, e pranoi marrëveshjen.

Basti dha rezultat, megjithëse jo në lumturinë bashkëshortore. Randolphi, një pijanec dhe ngatërrestar, e trajtonte me përçmim para dhe pas lindjes së foshnjës Winston. Por, pasi vjehrri i saj u bë kryeministër në maj të vitit 1940, Pamela u gjend në dhomën ku merreshin të gjitha vendimet. “Askush nuk kishte mundësi të shihte politikën aq afër sa unë”, ka thënë ajo më vonë.

Në atë kohë, Britania qëndronte e vetme kundër makinës së luftës naziste dhe Churchilli kishte urgjentisht nevojë për ndihmë transatlantike, e cila nuk po i vinte shpejt. Pas rënies së Parisit, sondazhet zbuluan se elektorati amerikan ishte edhe më pak i gatshëm se më parë për t’iu bashkuar kauzës së Aleatëve.

Pamela e njihte rrezikun. “Nëse Amerika do të hynte në luftë, atëherë fitorja do të ishte e sigurt. Për aq kohë sa ata nuk ishin në luftë, gjithçka ishte e pasigurt”, ka thënë ajo më vonë. Churchilli e adhuronte nusen e tij të hareshme. Ai arriti të publikonte një portret të bukur të Pamelas me djalin e saj foshnjë (të realizuar nga Cecil Beaton, fotografi i preferuar i familjes mbretërore) në kopertinën e revistës “Life”, atëherë revista me qarkullimin më të madh në ShBA. Ai gjithashtu kishte aleatin e tij, Lordin Beaverbrook, për të financuar një gardërobë të re për të. Ajo la mbresa tek i dërguari i parë që Roosevelti dërgoi në Britani, Harry Hopkins, i cili e quajti atë “të mrekullueshme”. Dhe, kur pasaniku Averell Harriman mbërriti në Londër në mars të vitit 1941, për të administruar programin e ndihmës – diçka për të cilën Churchilli kishte shumë nevojë – Pamela bëri gjithçka për ta njohur atë.

Kur Pamela, atëherë 21 vjeçe, filloi një lidhje me Averell Harrimanin, i cili ishte 49 vjeç dhe i martuar, kryeministri Churchill, i etur të dinte çfarë po thoshte dhe bënte Harrimani, e merrte në pyetje Pamelan gjatë lojërave të vona me letra. Duke bërë një analizë për librin Kingmaker në gazetën “The Times”, Roger Lewis hedh poshtë idenë që Pamela i siguronte të vjehrrit të saj informacione të rëndësishme, duke e përshkruar atë si “mercenare të obsesionuar me seksin”.

Frank Costigliola, profesor i historisë në Universitetin e Konektikatit dhe autor i librit Aleancat e humbura të Ruzveltit [Roosevelt’s Lost Alliances: How Personal Politics Helped Start the Cold War], i tha BBC-së: “Pamela ishte një aset i jashtëzakonshëm për Churchillin, duke marrë parasysh rëndësinë e informacionit gjatë kohës së luftës. Të mendosh ndryshe do të thotë të jesh injorant ndaj historisë dhe të tregosh shenja mizogjinie”.

Purnelli nuk i mohon aventurat seksuale të Pamelas, duke kujtuar në Kingmaker se ajo u bë e njohur si “kurtizania më e madhe e kohës së saj.” Gazetari Harrison Salisbury tregon se gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Londër “seksin e gjeje në ajër po si mjegullën”. Pamela nuk ishte e vetmja që binte në shtrat me partnerë të rinj, edhe pse frekuenca me të cilën kjo ndodhte e bënte atë një përjashtim. Lista e (pjesshme) e të dashurve të saj përfshinte: Edward R. Murrow – gazetar në CBS; gjeneralmajorin Fred Anderson – komandant i Forcës Bombarduese Amerikane; kolonelin Jock Whitney – oficer i inteligjencës në OSS; si dhe shefin e Murrowit në CBS, Bill Paley, i cili ishte në stafin e gjeneralit Dwight D. Eisenhower.

Çfarë informacioni i kaloi Pamela Churchillit – ose çfarë ai i kërkoi të thoshte amerikanëve të fuqishëm me të cilët ajo kishte marrëdhënie intime – kjo mbetet e panjohur, por Purnell shkruan: “Bisedat e saj në shtrat arrinin në veshët e liderëve dhe ndikonin në politikën e lartë në të dyja anët e Atlantikut”. Në vlerësimin e tij, Lewis e quan këtë si “teprim”, megjithëse është mirë të thuhet se kur Randolph Churchill më në fund mësoi për tradhtinë bashkëshortore të gruas së tij me Harrimanin, ai u bërtiti prindërve të tij për bashkëpunimin e tyre.

E divorcuar pas luftës, Pamela u zhvendos në Paris dhe u bë pjesë e një rrethi kozmopolitan, duke pasur lidhje me një sërë burrash të pasur, përfshirë princin Aly Khan, Gianni Agnellin dhe Élie de Rothschildin. Këta dashnorë financuan stilin e saj të jetës luksoze, por asnjëri nuk do të vinte një unazë në gishtin e saj. Duke iu afruar të 40-ave, ajo bindi Leland Haywardin, një producent të suksesshëm të Broduej dhe Holivud, që për të të linte gruan e tij glamuroze, Nancy – e njohur si “Slim.”

Pamela Hayward, siç quhej tani, dhe Lejdi Slim Keith – e martuar më vonë me bankierin britanik dhe aristokratin Kenneth Keith – ishin pjesë e “mjellmave ndërkontinentale” të përshkruara fillimisht nga shkrimtari Truman Capote në një numër të revistës Harper’s Bazaar në tetor 1959. Shumë të pasura, shumë të bukura dhe shumë elegante, këto zonja të shoqërisë e adhuronin Capoten dhe mbështeteshin tek ai si shoqërues dhe besnik – derisa ai nuk i bëri publike sekretet e tyre.

Laurence Leamer, autor i librit Gratë e Kapotes [Capote’s Women: A True Story of Love, Betrayal and a Swan Song for an Era], e quante Pamelën “mjellma e zezë”, pjesërisht sepse ajo ishte një figurë e dyshimtë në rrethin e saj. “Ai e dinte se ajo mund të ishte e paturpshme për të fituar dhe mbajtur një burrë”, i tha Leameri, BBC-së. “Por, ajo ishte gjithashtu interesante, simpatike dhe rezultoi të ishte një grua fantastike”.

Karriera dhe shëndeti i Haywardit ranë ndjeshëm gjatë dekadës pas martesës së tij me Pamelan, por ajo i qëndroi besnike. Edhe Brooke Hayward, vajza e tij nga një martesë e mëparshme, e cila në kujtimet e saj të famshme [Haywire] akuzoi Pamelan për marrjen e disa bizhuterive familjare (së bashku me ca mëkate të tjera), këtë e pranoi. “Pamela kishte një dhunti të madhe: ajo i kuptonte burrat që donte”, shkroi Hayward.

Pas vdekjes së Lelandit, në pranverën e vitit 1971, fqinja e saj gazetare, Lally Weymouth, vuri re se ajo ishte “e dëshpëruar”. Nëna e Weymouthit, botuesja e “Washington Post”-it, Katharine Graham, po organizonte një festë dhe Weymouth e inkurajoi Pamelan të shkonte në vendin e saj. Aty Pamela takoi sërish Averell Harrimanin. Ai kishte mbetur i ve një vit më parë dhe të dy ish-të dashurit rifilluan menjëherë marrëdhënien e tyre, duke u martuar disa muaj më vonë. “U tha në Uashington se Pamela kishte lobuar për ftesën si një dredhi për të takuar Averellin”, shkruan Purnell. “Si gjithmonë, thashethemet për Pamelën ishin aq pikante saqë shumë njerëz nuk shqetësoheshin nëse ishin të vërteta”.

Zonja e re Harriman përjetoi një lloj poshtërimi kur tregimi i shkurtër i Capotes [La Côte Basque, 1965] u botua në revistën “Esquire” në vitin 1975, me Lejdin e pamëshirshme Ina Coolbirth – një figurë e përbërë, elementet e së cilës ngjanin me Harrimanin – në qendër të tij. Por, gjatë dy dekadave të fundit të jetës së saj, Pamela u bë një lojtare e fuqishme në Uashington. Mbështetur nga milionat e familjes Harriman, ajo filloi të financojë dhe promovojë kandidatët e Partisë Demokratike – pasi republikani Ronald Reagan fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 1980. Ndër të preferuarit e saj ishin dy presidentët e ardhshëm: Joe Biden, atëherë senator nga Delaueri, dhe Bill Clinton, atëherë guvernator i Arkansasit.

Ky akt i tretë i fuqishëm kulmoi me emërimin e saj si ambasadore në Francë nga presidenti Clinton. Dhe, ndërsa ishte grua besnike dhe e kujdesshme ndaj Harrimanit të moshuar, Pamela u etiketua nga Ben Bradlee, ish-redaktor në “Washington Post”, si dikush “që e kishte politikën midis këmbëve”.

Purnell thotë se kritika ndonjëherë armiqësore ndaj librit të saj i ka dhënë asaj një “pjesë të vogël të gjërave që Pamela përjetoi”, tha ajo për BBC.

Ndoshta jeta e Pamelës është një lloj Testi i Rorshahut. Është si një standard i dyfishtë që ende vazhdon të ekzistojë? Siç vëren Leamer: “Është e vërtetë: Nëse fle me shumë njerëz dhe je grua, të quajnë ‘kurvë,’ por nëse je burrë, je ‘hamshor’”. Dhe, mbi çfarë bazash duhet të gjykosh një grua nga një epokë tjetër? Pamela bazohej te fuqia e saj që në moshë të hershme dhe, me një arsim të kufizuar, ajo kishte pak mundësi për të përparuar.

Vlerësimi i vetë Pamelas për veten është me rëndësi. Duke folur për Michael Grossin në revistën “New York Magazine” në vitin 1992, dhe më vonë e cituar në “New York Times”, ajo tha: “Në thelb, jam një grua që punon në sfond. Gjithmonë e kam thënë këtë dhe gjithmonë e kam besuar. Preferoj të shtyj të tjerët përpara. Nuk më pëlqen të jem vetë në qendër të vëmendjes. Isha shumë e lumtur që isha gruaja e dy burrave që kam dashur”. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version