Lokalet e tipit termopolium (lokal ku shërbehej ushqim i gatshëm i ngrohtë), ishin shumë të preferuar në botën romake. Vetëm në Pompei kishte të paktën 80 lokale të tilla.
Termopoliumi i zbuluar rishtas është një nga më të vjetrit në Pompei.
“Me këtë zbulim mundësitë për të studiuar termopoliumet janë të jashtëzakonshme, sepse është hera e parë që një lokal i këtij lloji zbulohet në tërësinë e vet”, tha një përfaqësues i Parkut Arkeologjik të Pompeut.
Banaku i termopoliumit ishte zbuluar pjesërisht në vitin 2019. Gjatë punës, ekspertët gjetën gjithashtu mbetje dhe eshtra njerëzish dhe kafshësh, viktima të katastrofës vullkanike në Gjirin e Napolit rreth 2000 vjet më parë. Sipas gjetjeve fillestare, mbetjet njerëzore janë ato të një 50-vjeçari, i cili në momentin e katastrofës ka qenë me siguri i shtrirë në një lloj shtrati. Mbetjet e tjera janë ende duke u hulumtuar.
Banaku i lyer me ngjyrë të verdhë është zbukuruar me piktura kafshësh – një pikturë që përshkruan një situatë nga jeta e përditshme dhe pikturën e një nereide, një nimfe deti, që kalëron mbi një kalë deti.
Rosat dhe një gjeli i pikturuar ishin ndoshta kafshë që thereshin dhe shiteshin në lokal. Në banak ka edhe disa vrima për të cilat studiuesit supozojnë se aty prezantohej ushqimi, që ofrohej për shitje.
Pompei u shkatërrua prej shpërthimeve të Vezuvit në vitin 79 të erës sonë. Qyteti historik i mbuluar nga hiri, balta dhe llava u rizbulua në shekullin e XVIII-të. Që atëherë dalin në dritë vazhdimisht gjetje të reja. Parku arkeologjik i Pompeit është një nga atraksionet më të njohura në Itali. Kohët e fundit arkeologët arritën të rikonstruktonin eshtrat e dy burrave, që ndoshta shpërthimi i vullkanit i kishte gjetur në befasi. /DW/