Site icon Telegrafi

Këshilltari i Pacollit reagon pas dëshmisë së Naim Murselit, thotë se duhet të eliminohen skemat e shantazhit dhe shpifjes

Jetlir Zyberaj këshilltar i Behgjet Pacollit, ka reaguar pas publikimit në media të dëshmisë së Naim Murselit lidhur me vrasjen e bashkëshortes së tij Liridonës, dhënë hetuesve policorë më 1 dhjetor.

Në reagimin e tij, Zyberaj ka thënë se shpifjet, shantazhet dhe të pavërtetat dashakeqe të krijuara nga një gjuhë mercenare e qëllimshme duhet të luftohen vazhdimisht.

“Analistë pa kredo profesionale kane projektuar rrëfime të paqena ndaj Presidentit Behgjet Pacolli pas vrasjes mizore të Liridona Adeamjt”, ka shkruar ai në Facebook.

Zyberaj më tej ka përmendur analistin Arjan Curri, i cili gjatë një emisioni në Shqipëri kishte thënë se janë disa dyshime që Naim Murseli mund të ketë qenë në një lidhje jashtëmartesore me një burrë. Gjithashtu, ai kishte parashtruar disa pikëpyetje se pse Behgjet Pacolli nuk ka qenë në varrimin e Liridonës, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Vrasja e Liridona Ademajt, dëshmia e plotë e Naim Murselit në polici

E këshilltari i Pacollit e ka akuzuar Arian Currin se ka shpifur, ndërsa Grida Dumën si mbrojtëse të analistit.

“Arian Curri, një i ashtuquajtur analist, që thirrej në burime të prokurorisë, por edhe Grida Duma që e arsyetonte dhe mbronte këtë shpifës a kanë ndonjë shpjegim tash? Sepse pas publikimit të dosjes nga gazetari Vehbi Kajtazi, po del që të gjitha thirrjet e Currit në burime brenda prokurorisë ishin shpifje dhe skemë e mirëmenduar”.

Zyberaj ka thënë se “Arjan Curri i ngjason shumë një monstrumi si Naim Murseli”.

“Të përbashkët e kanë planifikimin. Përderisa Murseli planifikoi vrasjes mizore të gruas së tij, Curri planifikoi dëmtimin e imazhit të Pacollit nëpërmjet një skeme të mirëmenduar. Madje, thirrej në burime të prokurorisë së Kosovës”.

“Eliminimi i skemave të shantazhit dhe shpifjes është kusht i domosdoshëm profesional, që nuk duhen toleruar asnjëherë dhe kurrë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version