Një ari, i cili u arratis dy herë nga rrethoja e tij në një kopsht zoologjik në Misuri brenda një muaji të vetëm, po zhvendoset në një shtëpi të re, njoftuan zyrtarët.
Kopshti zoologjik St Louis tha se ariu 4-vjeçar i Andeve, i quajtur Ben, po transferohet në kopshtin zoologjik Gladys Porter në Brownsville, Teksas.
Lëvizja vjen pasi Ben u arratis nga rrethoja e tij duke ‘grisur’ rrjetën e çelikut dy herë gjatë muajit shkurt.
Kopshti zoologjik tha se e përforcoi rrethojën pas arratisjes së parë, por Ben sërish arriti të dilte jashtë për herë të dytë, raporton UPI, përcjell Telegrafi.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se kopshti zoologjik i Teksasit do të përshtatet më mirë për Benin, pasi që rrethoja e ariut atje është e rrethuar nga një hendek i thellë në vend të një rrjete çeliku.
“Ndërsa ne e duam Benin dhe dëshirojmë që ai të mund të qëndrojë me ne, qëllimi ynë është të bëjmë atë që është më e mira për të”, deklaroi Regina Mossotti, nënkryetare e kujdesit për kafshët në kopshtin zoologjik të St Louis, në një njoftim për shtyp.
“Unë jam shumë mirënjohëse për kujdesin e shkëlqyer që i është ofruar Benit nga ekipi ynë i Kujdesit për Kafshët këtu dhe gatishmërinë e të gjithëve për të kërkuar mundësi që Beni të lulëzojë”, shtoi ajo. /Telegrafi/