Mesa duket vjedhja në bankën “Raiffeisen” nuk ka qenë e vetmja natën e kaluar në Prishtinë.
Të njejtin fat e ka pasur edhe këngëtarja e njohur Arilena Ara, bashkë me menaxherin e saj, Popi Kola, të cilët ranë pre e një vjedhjeje mbrëmë (e premte) në Prishtinë.
Ata kanë ardhur në Kosovë për realizimin e disa intervistave të Arilenës, teksa gjatë mbrëmjes kanë dalë për të festuar me miqt e tyre artistë, por gjatë kohës që kanë qenë në diskotekë, makina e menaxherit të këngëtares është bastisur nga hajdutët.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se atyre i janë vjedhur gjësende me vlerë, teksa menjëherë pas ngjarjes ata janë shoqëruar në rajonin policor për të marrë deklratat e tyre.
Këngëtarja ka pak kohë që është paraqitur në “Kënga Magjike” me këngën “Nëntori”, dhe është cilësuar si një nga këngëtaret më sfiduese në këtë festival.
Më poshtë deklarata e menaxherit të këngëtares:
“Përshëndetje. E vetmja gjë që mbrëmë më ka shqetësuar ka qenë që: si ka mundësi që në një parking me pagesë në qendër të qytetit (e theksoj paguan për ta futur makinën aty) të thyhet xhami i makinës, të merret portofoli dhe të gjitha dokumentet dhe në fund askush nuk mban përgjegjësi? Theksoj që makina ishte e parkuar në vijën e parë ngjitur me rrugën kryesore dhe në një vend super të ndriçuar. Dhe për të mos e mbyllur me kaq, kabina ku qëndronin punonjësit e parkingut (vendi ku bëheshin pagesat) ishte vetëm 10 metra larg makinës sonë”…
“Mendoj se çështja duhet të shtrohet që nëse merren lekë për parking, atëherë edhe makinat që dëmtohen duhet të përgjigjet dikush, fundja ç’vlerë ka të paguajnë njerëzit për parking, kur mjeti i tyre nuk është i sigurt.
“I vetmi problem shumë shqetësues ishin dokumentet e makinës dhe ato personale, si patenta, karte e identitetit, karta banke se për leket s’po pyesim. Është dashur një procedure shumë e gjatë sot në polici që të plotësohet dokumentacioni përkatës që të kemi mundësi të kalojmë doganën. Shpresoj dhe uroj që mos t’i ndodhë askujt”.
/Telegrafi/