Telegrafi

Arilena Ara në një intervistë për “Eurovision”, flet për këngën “Fall From the Sky”

Arilena Ara (Foto: Instagram/arilenaaraa)

Arilena Ara është njëra nga artistet që është bërë pjesë e festivalit më të madh të këngës ‘Eurovision’.

Anipse ky festival është anuluar për shkak të pandemisë coronavirus, kjo nuk i ka ndaluar artistët që të promovojnë këngët e tyre.

Një punë të palodhshme e ka bërë edhe këngëtarja shqiptare, e cila është duke u angazhuar në një studio në Amerikë.

“Fall From The Sky” është kënga me të cilën do ta përfaqësojë Shqipërinë në ‘Eurovision’, projekt ky i cili fillimisht ishte realizuar në gjuhën angleze e më pas ishte kthyer në shqip.

Në një intervistë për ‘Eurovision’, Arilena ka folur më shumë rreth këtij projekti, duke e cilësuar si të atillë që shfaq tre personalitete të saj.

“Këtu është një Arilena e trefishtë. Nga ajo e pafajshmja, tek e çmendura”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq ajo shton se pjesëmarrja në këtë festival e ka lumturuar shumë, pasi ky është një event që njeh popujt, socializon artistët dhe shkëmbehen kulturat mes shteteve të ndryshme.

“Fall from the Sky” është kënga me të cilën këngëtarja shkodrane është dashuruar që në dëgjimin e parë dhe e prezantoi me të njëjtën dashuri në RTSH. /Telegrafi/