Telegrafi

Challandes: Muriqi është i aftë, Guardiola nuk i mban lojtarët pa potencial

Arijanet Muriqi është prurja më e re në Përfaqësuesen e Kosovës.

Portieri i talentuar shqiptar nga Mali i Zi, Arijanet Muriqi është pjesë e gjigantit anglez Manchester City.

Muriqi këtë edicion ka luajtur në tri ndeshje për Kupë me Cityn ku ka pasur paraqitje mjaftë të mirë.

Për Muriqin ky është grumbullimi i parë me Përfaqësuesen e Kosovës, pasi më parë luajti për grupmoshat e Malit të Zi.

E për 20-vjeçarina ka folur edhe trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes.

“Guardiola nuk i mban lojtarët jo të talentuar dhe pa potencial. Ai është portier me shumë potencial”, u shpreh Challandes.

Por trajneri zviceran nuk u përgjigj nëse Muriqi do të mbrojë portën e Kosovës para Samir Ujkanit.

“Sigurisht se është i aftë, nëse s’do të kishte potencial, nuk do të ishte pjesë e Manchester City sepse të gjithë e dimë se Guardiola gjithmonë zgjedh lojtar që kanë të ardhme, të talentuar”, tha Challandes.

Kosova përballet me Maltën në udhëtim me fillim nga ora 18:00. /Telegrafi/