Site icon Telegrafi

Arifi: Presioni nga partitë dhe ambasadat mbi deputetët, është antinjerëzor

Kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, thotë se kundërshtimi i ratifikimit të marrëveshjes së shënjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, nuk është luftë për pushtet, por është bindje se ky version i demarkacionit është i gabuar.

Arifi e ka quajtur antidemokratik dhe antinjerëzor, presionin që sipas tij po bëjnë partitë politike dhe ambasadat mbi deputetët për votimin e kësaj marrëveshje.

“Nuk është luftë për pushtet nëse ke pasiguri e edhe më shumë kur je i bindur se demarkacioni është i gabuar. Shumica e popullit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, e din se ky version i demarkacionit, është i pasaktë. Presioni që po bëjnë partitë në pushtet dhe ambasadat, këto orët e fundit te deputetët, është antidemokratik dhe antinjerëzor dhe në tërësi nuk është në funksion, as të stabilitetit në rajon e as të stabilitetit të brendshëm”, ka thënë Arifi.

Arifi ka shtuar se si qytetar i thjeshtë i Kosovës, dhe si njeri që një pjesë të jetës akademike e ka kaluar në një vend demokratik dhe perëndimor, vlerëson se kjo çfarë po ndodh me këtë presion ndaj deputetëve s’ka të bëjë asgjë me vlera, as evropiane e as perëndimore.

Exit mobile version