Site icon Telegrafi

Ardian Bujupi gati për të pushtuar tregun muzikor me albumin e tretë, rrëfen detajet e projekteve të reja (Foto/Video)

Këngëtari i njohur shqiptar Ardian Bujupi,i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Gjermani, duket se po bëhet gati ta pushtojë tregun muzikor të vitit 2017.

Kështu të paktën bën me dije vet këngëtari, i cili në një prononcim ekskluziv për Telegrafin ka zbuluar se është në përgatitje të një sërë projektesh të reja, të cilat do të jenë disa këngë të reja me klipe, të përmbledhura të gjitha bashkë në një album.

“Kiss kiss” mban titullin kënga e parë e albumit të ri, e cila publikohet këtë javë me datë 14 prill, në orën 14:00.

Për Telegrafin, këngëtari Bujupi zbuloi se “Kiss Kiss”, do të jetë vetëm fillimi, pasi menjëherë pas saj pritet të vijnë projektet e reja.

“Kam punuar albumin tim të tretë, i titulluar “Melodia”, në të cilin do të sjell shumë këngë të reja, ndër to është edhe kënga ‘Kiss kiss’ e cila lansohet më datë 14 prill, në orën 14:00. Është një bashkëpunim me Mohombi dhe Big Ali, besoj do të jetë diçka e mirë që do t’i pëlqejë publikut”, tha ai për Telegrafin.

I pyetur për punën rreth albumit si projekt më gjigant, këngëtari rrëfeu se ka punuar me përkushtim, dhe këngët janë të punuara me kujdes, madje edhe me producentë të huaj.

“Do të ketë risi në albumin tim të ri. Mund të them se kam punuar më shumë se dy vite në këtë album, me producentë dhe muzikantë shqiptarë dhe të huaj. Por si përfundim jam i kënaqur me realizimin, dhe jam i lumtur që fansat e mi të do të kenë mundësinë ta dëgjojnë të plotë para verës. Del në shitje në Gjermani, Austri dhe Zvicër”, u shpreh më tej Ardiani.

Ndërkohë, pas këngës “Kiss Kiss” do të vijnë edhe shumë projekte të tjera, klipet e të cilave janë realizuar nga stafi profesional i Entermedias.

“Pas projektit “Kiss kiss” vjen kënga tjetër, të cilën gjithashtu e kam realizuar edhe me videoklip. Xhirimet i kemi përfunduar në ishullin Mykonos në Greqi, pasi na ka tërhequr shumë natyra atje dhe ka qenë ambient që i përshtatej këngës. Ndërsa klipet tjera pres t’i xhiroj në Kosovë, gjithashtu me Entermedian, ku do të kemi shumë punë me statista, artistë dhe valltarë, me pak fjalë plot befasi të këndshme për publikun”, përfundoi këngëtari Bujupi.

Telegrafi ka siguruar edhe disa fotografi ekskluzive nga xhirimet e klipit “Kiss kiss”, i cili publikohet këtë të premte.

Edhe në këtë klip, i cili për nga vet titulli tregon se do të jetë “i nxehtë”, nuk do të mungojnë festat, femrat me bikini dhe paraqitja me stil si gjithnjë e këngëtarit Ardian Bujupi. /Telegrafi/

Pamje ekskluzive nga xhirimet e klipit të ri “Kiss Kiss” nga Ardian Bujupi.

 

 

Exit mobile version