Telegrafi

Arda Turan zbulon arsyen se përse Arda Guler zgjodhi Real Madridin dhe jo Barcelonën – nuk ka të bëjë me paratë

Në fillim të këtij muaji, Arda Guler mori vendimin për t’iu bashkuar Real Madridit nga Fenerbahce. 18-vjeçari ishte lidhur shumë me bashkimin me Barcelonën, por ai përfundimisht vendosi të bashkohej me rivalët e tyre.

Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Atletico Madridit, Arda Turan e njeh shumë mirë talentin, pasi të dy janë nga Turqia. Në një intervistë me Rezzan Yetis të Tivibu Spor, 36-vjeçari pranoi se do të kishte preferuar që adoleshenti t’i bashkohej ish-klubit të tij, megjithëse e kupton pse zgjodhi madrilenët.

“Do të kisha qenë shumë më i lumtur nëse Arda Guler do të kishte shkuar te Barcelona, ​​por nuk më duket e çuditshme zgjedhja e tij për t’iu bashkuar Real Madridit. Barcelona për të cilën kam luajtur ishte më e mira në histori, por Barcelona aktuale është një Barcelonë që po rindërton. Real Madridi gjithashtu po bëhet më i ri, por ata janë një ekip më i pjekur. I uroj atij më të mirën”, ka thënë Turan.

Lexo po ashtu Tifozët e Real Madridit të mahnitur nga Arda Guler qysh në stërvitjen e tij të parë

Turan gjithashtu beson fort se Guler do të vazhdojë të bëhet një nga lojtarët më të mirë në futbollin botëror.

“Arda Guler është një lojtar shumë i vlefshëm për futbollin e vendit tonë. Fillimisht dua të falënderoj Fenerbahçen për kontributin e dhënë në zhvillimin e Ardës. I uroj Ardës suksese në jetën e tij. Besoj se do të jetë një nga futbollistët më të mirë në botë. Lëreni të shijojë këto situata”.

Lexo po ashtu Nga Ronaldo te Guler: Pesë lojtarët që injoruan Barcelonën për Real Madridin

“Fanella e Real Madridit i shkon shumë mirë. Ai ishte rivali im në Fenerbahce në Turqi dhe ai është rivali im në Real Madrid në Spanjë. Qoftë Arda shumë i suksesshëm, por Barcelona dhe Atletico Madrid të fitojnë të gjithë titujt në fund”, ka shtuar më tej ai.

Guler është në një mjedis në të cilin ai mund të vazhdojë zhvillimin e tij të jashtëzakonshëm dhe ai tashmë ka impresionuar zyrtarët e klubit në Real Madrid. /Telegrafi/