Arbnor Morina ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të Ferizajt pas barazimit ndaj Gjilanit.
Barazimi i kësaj xhiroje shënonte ndeshjen e katërt radhazi pa fitore, ashtu që trajneri vendosi që të lëshonte rrugë për dikë që mund të ndryshojë diçka që skuadra të vazhdojë përpara.
“Pas takimit të sotëm kundër Gjilanit, kam njoftuar kryesinë e klubit që nuk do të jem më trajner i ekipit, sepse mendoj që diçka duhet të ndryshohet që ekipi të ecë përpara, me idenë se klubi është më i madh se secili individ”.
“Periudha e kaluar në Ferizaj, është një periudhë shumë e këndshme për mua në bashkëpunim me njerëz punëtorë dhe të sinqertë, mirëpo klubi ka nevojë për një infuzion që të vazhdojë rrugëtimin aty ku e ka cakun”.
“Këtë vendim e kam marrë pasi që prej xhiros së parë kemi qenë ekip, i cili kemi treguar futboll të mirë, kemi shënuar, por nuk kemi mundur të mbajmë rezultatin”.
“Besoj se reflektimi im do t’ia kthejë FC Ferizajt ditët që i kemi kaluar në ligën e parë”.
“Faleminderit të gjithëve në klub për bashkëpunim dhe dëshiroj që FC Ferizaj të arrijë atje ku i ka synimet kryesia e klubit”, citohen fjalët e Morinës.
Me këtë rast presidenti i klubit, Lulzim Abazi, e ka falënderuar Morinën për kontributin e tij njëvjeçar në krye të ekipit, duke i uruar shëndet e suksese në të ardhmen. /Telegrafi/