Një intervistë me studiuesin Aleksander Stipçeviq, është realizuar vite më parë nga studiuesi Musa Ahmeti. Në rrëfimin e tij të gjatë është pjesa ku ilirologu tashmë i ndjerë, flet vendlindjen dhe arbëreshët e tij…
Në fillim, kontaktet me atdheun e të parëve ishin të rralla. U desh të kalojë një kohë mjaft e gjatë që këto lidhje të forcoheshin dhe të ishin në nivelin e dëshiruar. Aty nga fundi i shekullit të XIX dhe veçanërisht në fillim të shekullit të XX filloi një bashkëpunim i ndërsjellë dhe shumë i suksesshëm. Një situatë mjaft specifike u krijua në Arbnesh para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pjesa dërrmuese e arbëneshëve u deklaruan politikisht si pasues të vijës kroate. Mirëpo, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, tek arbneshët zgjohet ndjenja patriotike dhe e solidaritetit me vëllezërit e gjakut në Shqipëri, për luftën e drejtë të krijimit dhe ruajtjes së shtetit Shqiptar. Kështu në Arbnesh formohet më 1 dhjetor 1912 “Komiteti kombëtar shqiptar nga Arbneshi”, i cili aktivisht kyçet në luftën politike për njohjen e shtetit shqiptar nga shtetet Evropiane. Bëhen kërkesa pranë Qeverisë në Vjenë për njohjen e këtij shteti, i dërgohen telegrame përkrahje qeverisë shqiptare, protestohet ndaj aspiratave shoviniste që kishin fqinjët për territoret shqiptare etj. Qeveria e Vjenës, e kapur në befasi nga këto veprime të arbneshëve, ndalon me dekret disa nga veprimet e Komitetit, gjë që shkakton pakënaqësi të madhe tek arbneshët. Të befasuar ishin, pos qeverisë austriake, edhe të tjerët, sepse vetëm pak kohë më parë, po këta arbneshas ishin deklaruar si kroatë, ndërsa brenda një kohe të shkurtër kishin ndërruar qëndrim, e tani ishin shqiptarë dhe madje patriotë të përkushtuar. Në këtë kohë, Arbneshin e viziton pos të tjerëve, edhe Fan Noli, i cili u prit në mënyrë madhështore.
Fillimi i Luftës së Parë Botërore, e posaçërisht ngjarjet pas saj, i bëjnë lidhjet me atdheun shumë të vështira. Pas Luftës së Dytë Botërore vihen kontakte të rregullta në mes të Shqipërisë dhe Arbneshit. Ia vlen vetëm të kujtojmë që ambasador i parë i Jugosllavisë në Tiranë ishte arbneshi Josip Gjergja. Gjatë kësaj kohe, Arbneshin e vizitojnë disa delegacione nga Kosova. Këto marrëdhënie me Shqipërinë u shkëputën përfundimisht në vitin 1948, pas mosmarrëveshjeve që Jugosllavia bëri me vendet fqinje. Në anën tjetër, nuk mund të thuhet se u këputën të gjitha lidhjet në mes të shqiptarëve dhe Arbneshit. Në këtë kohë kemi kontakte të shpeshta me kosovarët. Këto janë kryesisht lidhje kulturore e jo politike. Arbneshët fillojnë të botojnë shkrimet e tyre në gjuhën shqipe, sidomos nëpër revista e gazeta të ndryshme. Të tillë personalitete ishin Sh. Deshpali, J. V. Rela, B. Peroviqi, A. Stipçeviqi, B. Nikpali, E. Stipçeviqi etj.
Arbneshët kanë një mendim shumë të lartë për veten e tyre, përgjithësisht ashtu si gjithë popujt e tjerë. Pa fije modestie deklarojnë se janë më të mençur, më të bukur, më të ndershëm, më të fjalës se gjithë qytetarët e tjerë përreth. Një reagim i tillë ndoshta është i arsyeshëm dhe vjen nga vlerësimet dhe lavdërimet e shumta që marrin nga bashkëqytetarët e nacionaliteteve të tjera! Mund të konstatojmë se arbneshët, veçanërisht gjatë kohës kur ishin një oazë i mbyllur, kanë ruajtur shumë veti karakteristike të sjella nga Shqipëria. Bëhet fjalë për disa zakone të vjetra patriarkale, popullore të bazuara në të drejtën zakonore, që i dallonte nga vendasit, veti këto që çmoheshin shumë si të veçanta dhe ndoshta, është ky shkaku, që ata fituan një mendim kaq të lartë për veten e tyre. Përfundimisht edhe arbneshët kanë pranuar jetën e civilizuar qytetare, duke mos u dalluar fare nga rrethi ku jetojnë, gjë që ka ndikuar në zbehjen ose në zhdukjen e disa zakoneve të rëndësishme, si valle e këngë, të cilat ishin burimore nga atdheu amë…
Shumë shpesh më parashtrohet një pyetje e tillë: si është e mundur që nga Arbneshi të kenë dalë kaq shumë personalitete të njohura në kulturë, politikë, art, shkencë, muzikë, diplomaci, sport, agronomi, teologji etj.? Po e përmbledh me dy fjalë: ky fenomen tek arbneshët mund të shpjegohet me këmbënguljen dhe vullnetin e tyre në punë, me dëshirën e madhe që të tregohen më të suksesshëm se sa fqinjët kroatë dhe vlleh me korrektësi dhe ndershmëri, me dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin, çdoherë duke ruajtur dinjitetin dhe virtytet e larta që i kanë dalluar në të kaluarën, por që edhe sot janë specifike dhe aktuale për këtë oazë shumë karakteristik.
Në familjen time edhe sot është i freskët një tregim, që në fakt është vërtetuar edhe nga burime shkencore e dokumentare, ku tregohet se me të arritur në atdheun e ri, njëri nga stërgjyshërit, Leka, i lindur në Shqipëri, kishte qenë emëruar si “shkopi i katundit”. Ky ishte një pleqnar në zë, i mençur dhe i drejtë, dhe shumë shpejt i doli zëri si njeri i fjalës dhe si i tillë filloi të ndante pleqni jo vetëm tek arbëneshët, por edhe në fshatrat fqinje të banuara me kroatë dhe vlleh. Edhe pse ekzistonin gjykata, ligje dhe drejtësia venedikase, e drejta zakonore shqiptare çmohej shumë në atë kohë, dhe jo vetëm nga shqiptarët. Kjo na bën të kuptojmë vlerën dhe rolin që kishte i pari i vëllazërisë /fisit/ apo i zoti shtëpisë tek shqiptarët.
Në Arbnesh edhe sot flitet arbnishtja, gjuha ime amtare. Në fëmijërinë time, të gjithë flisnin arbnisht, ndërsa italisht e kroatisht kemi mësuar vetëm në shkollë. Për fat të keq, sot arbnishtja është në zhdukje e sipër. Ka shumë shkaqe për këtë, por kryesorja është shpërngulja e madhe e mbi 1500 arbneshëve pas Luftës së Dytë Botërore në Itali dhe në vende të ndryshme perëndimore. Sot në këtë oazë dominon kroatishtja, sepse në shkolla mësohet kroatisht, gazetat janë në gjuhën kroate, liturgjia fetare bëhet në kroatisht, e po ashtu edhe televizioni është në kroatisht. Rezultat i gjithë kësaj është se fëmijët dhe të rinjtë nuk flasin më arbnisht, por edhe të rriturit shumë rrallë e flasin, sepse gjuha është varfëruar së tepërmi për komunikim normal. Ky është një proces pothuajse normal i pranishëm edhe në oaza të ndryshme gjuhësore anekënd Evropës, e që vështirë se mund të ndalet. Përditshmëria është ajo që imponon gjuhën e shumicës. Të vetëdijshëm për zhdukjen e arbnishtes kemi bërë përpjekje që të paktën të ruajmë në formën e shkruar këtë thesar të leksikut shqip, sepse ky dialekt ka rëndësi për studimin e gjithanshëm të historisë së gjuhës shqipe. Është fat i madh që në mesin tonë kishim dr. Kruno Krstiqin, njërin nga historianët më të njohur të filozofisë kroate, që njëherësh ishte edhe gjuhëtar /linguist/ i shquar. Për vite me radhë ai ka mbledhur thesarin leksikor të Arbneshit dhe përfundimisht e boton atë në “Fjalorin e të folmes Arbnishte të Zarës” (Riječnik govora zadarskih Arbanasa), duke u ofruar gjuhëtarëve të ardhshëm një material të rëndësishëm për studime të gjuhësisë.
Arbnishtja, fatkeqësisht, është në zhdukje e sipër. Nuk duhet pritur që të zhduket për një kohë të shkurtër. Është mëse e sigurt se edhe për disa dhjetëra vite arbnishtja do të vazhdojë të flitet në Arbnesh, kryesisht si gjuhë familjare. Është interesant se një mësues nga Arbëreshi ka filluar të mbajë leksione për gramatikën arbnishte në gjuhën arbnishte, për gjithë ata që janë të interesuar. Befasues është fakti, se ka shumë të interesuar, jo vetëm nga të rinjtë por edhe nga mosha të tjera. Kjo gjë na bën të jemi optimistë, se ndoshta arbnishtja nuk do të zhduket, por do të mbijetojë, ashtu si i mbijetoi rrebesheve të kohës.
Duhet rikujtuar se në Kroaci ekziston një traditë shumë e gjatë e studimeve albanologjike. Fakti që një numër i madh shkencëtarësh kroatë janë marrë në të kaluarën me studime albanologjike, është dëshmi e një të ardhmeje të ndritur dhe të suksesshme që ka kjo shkencë në Kroaci. Me mburrje themi se njëri nga albanologët më të shquar botërorë ishte Millan Shuflaj, veprat e të cilit edhe sot e kësaj dite janë të patejkalueshme në shkencë. Përveç tij, me albanologji u morën edhe Qiro Truhelka, Petar Skoku, Henrik Bariqi, Kruno Krstiqi, Radoslav Katiçiqi etj. Për punë të mëtejshme, themelet ekzistojnë; ne duhet të vazhdojmë më tutje.