Telegrafi

Arben Vitia thotë se së shpejti do të emërohet ministri i ri i Shëndetësisë

Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia thotë se pavarësisht rezultatit në balotazhin e Prishtinës, ai nuk do të kthehet më në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Vitia në “Debat Plus” thotë se koha e shkurtër në fushatë ka mundur të jetë ndër faktorët kryesor që ai nuk mundi të fitonte qysh në raundin e parë garën për Prishtinën.

“Ishte një fushatë dhjetë ditore që natyrisht qytetarët e Prishtinës nuk u bindën. Nuk kisha kohë për ta elaboruar këtë program. Edhe pse isha i pari në garë qytetarët më dhanë edhe një mundësi për ta elaboruar më shumë këtë program”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se edhe sondazhet që ishin bindshëm në favor të tij kanë mundur të ndikojnë në rezultatin përfundimtarë.

“Votuesit e Vetëvendosjes paksa u relaksuan kur panë ato sondazhe”.

Vitia thotë se shëndeti publik ishte më i rëndësishëm për të se gara për Prishtinën.

“Kam vendosur se deri të ulen numrat e infektimeve do të qëndrojë në detyrën e  ministrit. Edhe po të kthehesha në kohë do të veproja njëjtë”.

Vitia thotë se pavarësisht rezultatit në Prishtinë, ai nuk do të kthehet në postin e Ministrit të Shëndetësisë.

“Shumë shpejt do ta kuptoni emrin e ministrit të ri të shëndetësisë dhe bashkë me zëvendësministren Gexha (tash ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë)”, deklaroi tutje Arben Vitia./Telegrafi/