“Pa qenë i vogël i madh nuk bëhesh”, thotë biznesmeni Arben Abdurahmani pronarë i tri kompanive shumë të suksesshme në Maqedoni “Vezë Sharri”, “Lecker” dhe “Elektro Sharri”. Si ka qenë rrugëtimi i tij në këtë biznes, sfidat dhe arritjet i tregon Abdurrahmani në intervistë ekskluzive për Telegrafi Maqedoni.
Intervistoi: Aroma Aliti
Si filloi rrugëtimi i kompanisë “Vezë Sharri”?
Rrugëtimi i Vezë Sharit filloi në vitin 2000 si një investim i përbashkët gjermano-shqiptar. Pas kthimit në vendlindje, falë përvojës së fituar 11 vjeçare në Gjermani në kultivimin e zogjve njëditorë deri në pula të gatshme për të bërë vezë, themelova një kompani familjare ku dashuria dhe pasioni për punën ishin kyçe për suksesin gjatë viteve. Në vitin 2002 sollëm 30.000 zogjtë e parë dhe të shtyrë nga kërkesa në rritje e konsumatorëve deri në shtator të vitit 2003, zgjeruam kapacitetet tona menaxhuese dhe prodhuese në 120.000 pula me prodhim mbi 30 milion vezë konsumi në vit. Sot kemi rrjetin tonë të shpërndarjes dhe eksportojmë vezë në vendet e rajonit dhe BE-së me prodhim vjetor mbi 34.000.000 vezë konsumi duke përmbushur nevojat e tregut në vendin tonë.
Sa e keni problem për punësime të reja dhe cilat janë këshillat tuaja për të rinjtë?
Ne si kompani vazhdimisht investojmë në burime të reja njerëzore dhe problem i rëndësishëm gjatë të bërit biznes është edhe mungesa apo vështirësitë në gjetjen e punëtorëve adekuat për nevojat tona. Ne kemi njerëz të diplomuar shumë, por përgatitja e tyre profesionale është e mangët, kurse nga ana tjetër edhe trendi i emigracionit të të rinjve është shqetësues. Pavarësisht se janë bërë disa hapa drejt arsimit profesional, përsëri të rinjtë nuk e shohin ende këtë fushë si te ardhmen e tyre. Arsimi profesional në vend vazhdon të llogaritet edukim pa të ardhme. Ka humbur dashuria për punën dhe na mungojnë zanatet. Me një zanat mund të hapësh një biznes. Në Gjermani, për shembull, shumicën e biznesmenëve i ke me arsim profesional, prandaj unë do këshilloja të rinjtë që të orientohen drejt arsimit profesional, si një drejtim që rrit dukshëm mundësitë e punësimit të tyre në vendin tonë.
Cilat janë sfidat dhe vështirësitë që keni hasur në karrierën tuaj?
Që nga momenti i largimit nga vendlindja, synimi im ka qenë të kthehem dhe të vazhdoj biznesin duke kontribuar në atë që bashkëqytetarët e mi të mos kenë nevojë të largohen jashtë vendit. Hapja e një biznesi dhe sfidat fillestare janë të lehta, por problemet fillojnë në fazat tjera të zhvillimit. Janë shumë probleme me të cilat pronarët përballen gjatë menaxhimit, por të bësh biznes sot është shumë më lehtë se në kohën kur nisëm ne. Të gjitha barrierat që bizneset kanë, nuk shqyrtohen me kohë nga autoritetet kompetente, gjë që e bën edhe më të vështirë, funksionimin e biznesit. Nuk bëhet asgjë brenda natës, duhet të kalohen disa sprova. Sipërmarrësit duhet të jenë të përgatitur për të zgjidhur pengesat që hasin gjatë rrugës. Përveç problemeve tashmë të njohura për të gjithë siç janë konkurrenca jo-lojale, vonesat në pagesa, mungesa e tregut për plasim të produkteve, procedurat e gjata burokratike e tjera, për zhvillimin e një karakteri të fortë si biznesmen duhet të përpiqeni çdo ditë në gjetjen e zgjedhjeve kreative. Ndonjëherë, vetë vështirësitë mund të jenë porta për suksesin dhe fuqinë tuaj.
Çka do t’ju sugjeroje të gjithë atyre të cilët e kanë ëndërr të merren me biznes apo me menaxhimin e ndonjë biznesi?
Sipërmarrësit e rinj zakonisht nuk janë të përgatitur për problemet që i presin. Gjëja e parë që duhet të bëni është të kuptoni se problemet janë pjesë e pandashme e çdo biznesi, sepse suksesi nuk ka formula të gatshme. Të bësh biznes në kohët e sotme duket si një hap i rrezikshëm nga shumë të rinj, por pa qenë i vogël i madh nuk bëhesh. Në tregun e sotëm mbijetojnë ata që marrin përgjegjësinë për gjendjen e tyre dhe po ashtu marrin iniciativat e nevojshme, për të përmirësuar situatën duke u përballur me sfidat. Sfida e parë është të gjeni idenë e duhur, e cila përputh burimet, interesat, aftësitë dhe përvojat tuaja me nevojat e tregut dhe klientëve të tij. Ngritja e një biznesi, është diçka që fillon nga dëshira dhe pasioni për të krijuar dhe punuar për veten. Për këtë arsye llogaritë duhet t’i bëni me veten, nëse është një zgjidhje e mirë për ju apo jo. Është me rëndësi të mendoni para se të filloni, sepse pasi të filloni ju mbetet të bëni gjithçka që biznesi juaj të ecë. Dhe ajo që do ishte më me rëndësi, të dinë që mundësitë dhe arritjet më të mëdha u jepen atyre që veprojnë me frymën “Ne”, me përbërjen e mendjeve të disa njerëzve me të njëjtën aspiratë, qe nuk punojnë vetëm, por për një të mirë të përbashkët.
Planet për të ardhmen?
Synimi jonë ka qenë të arrijmë deri te një kompani gjigante, për arsye se i kemi pasur të gjitha parakushtet, vullnetin dhe pasionin për punën. Duke marrë parasysh anëtarësimin e vendit tonë në një të ardhme të afërt në BE, si dhe për të qenë konkurrent në tregun evropian, filluam të mendojmë rreth mundësisë që të mos jemi të varur nga importi, por lëndët e para për Vezë Sharri, Lecker dhe Elektro Sharri të prodhojmë vet. Kështu, filluam të zgjerojmë kapacitetet tona me ndërtimin e kompleksit bujqësor industrial, një investimin i përqendruar në pjesën e Maqedonisë Qendrore, më saktësisht në Prilep në hapësirë prej rreth 600 ha. Neve si kompani, ky fakt na gëzon shumë dhe do të jetë nxitës i rritjes së performancës së kompanisë tonë dhe investimeve të reja në të ardhmen, duke qenë se deri më tani kemi qenë të varur nga importi i lëndëve të para./Telegrafi/