FIFA ftoi vendet nga Azia dhe Oqeania për të paraqitur ofertat dhe Arabia Saudite shpalli menjëherë ofertën e saj për organizmin e Kupës së Botës 2034.
Federata e Futbollit të Arabisë Saudite ka njoftuar se dëshiron të organizojë një “turne të klasit botëror”, duke shtuar se do të frymëzohet nga “pasioni i rrënjosur thellë për futbollin” i këtij vendit.
“Oferta e parë e Arabisë Saudite për Kupën e Botës mbështetet nga përvoja në rritje e vendit në organizimin e ngjarjeve të futbollit të klasit botëror dhe planet e saj të vazhdueshme për të mirëpritur tifozët anembanë botës në Kupën e Botës për Klube 2023 dhe Kupën e Azisë 2027”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Shoqata Saudite e Futbollit.
Njoftimi saudit erdhi menjëherë pasi FIFA konfirmoi se Maroku, Spanja dhe Portugali do të jenë mikpritëse të Kupës së Botës 2030, duke shtuar se tre nga ndeshjet e Kupës së Botës do të luhen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai.
Pasi FIFA njoftoi se Kupa e Botës 2034 do të mbahet në Azi ose Oqeani, presidenti i Konfederatës së Futbollit të Azisë, Salman bin Ebrahim Al Khalifa e përshëndeti vendimin.
“Ne besojmë fuqimisht se kjo hap rrugën për një mundësi të drejtë për të gjitha konfederatat për të konkurruar dhe pritur Kupën e Botës”, deklaroi ai.
Kohët e fundit, Arabia Saudite ka investuar qindra milionë euro në zhvillimin e infrastrukturës dhe për lojtarë. Vetëm në afatin e fundit kalimtar, klubet e Ligës Profesionale Saudite (SPL) shpenzuan më shumë se 950 milionë dollarë për nënshkrime.
Një numër i futbollistëve më të mirë, si Cristiano Ronaldo, Neymar, Karim Benzema dhe Marcelo Brozović, kanë nënshkruar së fundmi kontrata me para të mëdha me klubet saudite.
Kupa e Botës e ardhshme e vitit 2026, në të cilin do të marrin pjesë 48 kombëtare, do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. /Telegrafi/