Në vazhdën e kompletimit të infrastrukturës ligjore në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së, për fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, e veçanërisht në fushën e Mbrojtjes së Natyrës në Republikën e Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka propozuar 18 vendime për vënien nën mbrojtje të rezervateve strikte 15 në parkun kombëtar “Sharri“ dhe 3 në parkun kombëtar ”Bjeshkët e Nemuna”.
Në mbledhjen e 74-të të Qeverisë, ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, propozoi 18 lokacionet në kuadër të Parqeve Kombëtare në Kosovë, e të cilat u miratuan nga Kabineti Qeveritar.
Me këtë rast ministri Agani tha se propozimvendimet janë në përputhshmëri me ligjin.
“Këto pika kanë të bëjnë me mbrojtjen strikte të natyrës. Propozim-vendimet përbëhen gjithsej prej 18 pikave dhe nuk nevojiten mjete buxhetore shtesë, ndonëse përfundimisht duhet dhënë vëmendje më shumë. Propozim vendimet përcaktojnë përgjegjësitë e institucioneve për mbrojtjen e peizazhit strikt”, ka thënë Agani.
Ministri Agani shtoi se Propozim Vendimet në masë të plotë do të ndikojnë në krijimin e infrastrukturës ligjore për mbrojtjen e natyrës dhe do të jetë bazë për parandalimin dhe zbutjen e ndikimeve negative në natyrë, të propozim projekteve publike ose private.
Nxjerrja e këtyre vendimeve është njëri nga synimet strategjike të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Biodiverzitet 2011-2020 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Propozim Vendimet përcaktojnë përgjegjësitë e institucioneve dhe të zbatuesve të projekteve në mënyrë që të kontribuohet me qëllim të ruajtjes të çdo rezervati strikt, ruajtjen e larmisë biologjike dhe peizazhore dhe mbrojtjen e vlerave të natyrës.
Baza ligjore për vënien nën mbrojtje të këtyre zonave të mbrojtura përmes këtyre Propozim vendimeve është në nenin 8, nenin 10 dhe nenin 19 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës.
Me këto Propozim Vendime krijohet baza për zbatimin e akteve ligjore të Bashkimit Evropian në veçanti Direktivës 92/43/EEC për Mbrojtjen e Vendbanimeve Natyrore të Faunës dhe Florës së Egër (22. 7. 1992), Direktiva 2009/147/EEC për Mbrojtjen e Zogjve të Egër (version i Kodifikuar, 26. 01. 2010) si dhe parimeve kryesore të Konventës së Bernës (19. 09. 1979) për Ruajtjen e Florës dhe Faunës së Egër dhe Vendbanimeve Natyrore Evropiane. /Telegrafi/