Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar në lidhje me vendimin e marrë për ndeshjen mes Ballkanit dhe Feronikelit ’74 në kuadër të javës së 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ballkani dhe Feronikeli ‘74 luajtën baras me rezultat 1-1 në fundjavë në kuadër të xhiros së 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, por çuditërisht kjo ndeshje nuk është regjistruar fare nga Komisioni i Garave.
Sipas komisionit, Ballkani ka paraqitur ankesë për këtë ndeshje dhe tani ankesa e tyre është marrë si e bazuar në lidhje me mospasjen të drejt loje nga lojtari mysafir, Lavdim Zumberi dhe therandasit fitojnë ndeshjen me rezultat zyrtar.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e klubit të futbollit FC Ballkani, në lidhje me zhvillimin e ndeshjes ndërmjet FC Ballkani-Feronieli ’74 e zhvilluar me datën 21.02.2025, java e 21-të e Albi Mall Superliga, në lidhje me paraqitjen e parregullt të lojtarit të FC Feronikelit ’74, Lavdim Zumberi i lindur më 27.11.1999 me ID 040780M99 dhe nr. të fanellës 10, i njëjti është i aktivizuar pa të drejtë loje sipas të dhënave të siguruara nga sistemi FIFA Transfer Matching System (TMS). Lojtari Lavdim Zumberi figuron me status aktiv për klubin e futbollit FC Baden 1894 në Zvicër”.
“Ndeshja ndërmjet FC Ballkani-FC Feronikeli ’74, java e 21-të e Albi Mall Superliga regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të FC Ballkani”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Garave të FFK-së. /Telegrafi/