Grupi për të drejtat e kafshëve PETA ka vlerësuar vendimin e gjigantit të teknologjisë amerikane Apple për heqjen dorë nga përdorimi i lëkurës tek produktet e saj.
Për këtë, Apple u vlerësua nga PETA si “Kompania e Vitit” për përpjekjet e kompanisë për “ndryshimin e industrisë”, transmeton Telegrafi.
“Në një ndryshim të madh prej kohëve të vjetrave ku përdorej lëkura e lopës dhe e krokodilit, miliona ora të shitura vitin e ardhshëm nuk do të jenë me lëkurë, falë vendimit të Apple për heqjen e lëkurës së kafshëve në produktet e tyre për të zgjeruar përdorimin e materialeve të ricikluara”, shkruante PETA në një deklaratë.
Apple është kompania më e madhe në botë për nga kapitali i tregut dhe vitin e kaluar shiti më shumë se 50 milionë orë inteligjente.
Gjiganti i teknologjisë nga Kalifornia njoftoi në shtator se nuk do të përdorte lëkurë në asnjë aksesor të ri – duke përfshirë tek rripat e orëve të Apple, tek kuletat dhe tek kutitë e iPhone-ve – duke e zëvendësuar materialin me pëlhurë FineWoven.
Zëvendësimi i lëkurës me FineWoven e vendos Apple në rrugën për të përmbushur qëllimin e saj për t’i bërë të gjitha produktet e tyre neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2030.
PETA thotë se shpreson që përpjekjet e Apple do të shërbenin si shembull për kompanitë e tjera. /Telegrafi/