Site icon Telegrafi

Apple me fitime rekorde për pjesën e parë të vitit 2020, tejkalon projeksionet

Kompania Apple për tremujorin e parë fiskal për vitin 2020 ka raportuar fitime rekorde, ku të ardhurat ishin 91.8 miliardë dollarë, shumë më lartë sesa pritshmëritë prej 88.43 miliardë dollarë, apo me një rritje prej 9 për qind.

Në të vërtetë gjiganti i prodhimit të iPhoneve kishte paralajmëruar investitorët më parë se të ardhurat do të ishin mes 85.5 deri në 89.5 miliardë dollarë, përcjell Telegrafi.

Fitimi për këtë periudhë u rrit në 4.99 dollarë për aksion apo 0.45 dollarë më shumë se çfarë kishin parashikuar analistët.

Sipas kompanisë, shifrat rekorde të tre muajve të fundit vinë nga kërkesa e lartë për iPhone 11 dhe iPhone 11 Pro.

“Ne jemi të entuziazmuar që të raportojmë të ardhura rekorde, që është nxitur nga kërkesa e lartë për modelet tona të iPhone 11 dhe iPhone 11 Pro”, tha shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook.

Lexo po ashtu Pavarësisht luftës tregtare, Apple rrit shitjet në Kinë

Po ashtu, shitjet e Apple në Kinë u rritën me më shumë se 18 për qind gjatë muajit dhjetor, tregojnë të dhënat më të fundit të akademisë kineze të teknologjisë dhe informacionit.

Për tre mujorin e ardhshëm, kompania parashikon të ardhura mes 63 deri në 67 miliardë dollarë, ndërsa analistët kanë parashikuar 62.33 miliardë dollarë.

Një vit më parë Apple pati 58 miliardë dollarë të ardhura. /Telegrafi/

Exit mobile version