Telegrafi

Apostolova: Vizat për Kosovën të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova ka thënë se të gjitha kriteret për liberalizimin  e vizave për Kosovën janë përmbushur.

Apostolova këtë deklaratë e bëri të ditur në një konferencë për media pas publikimit të raportit për Kosovën, nga Komisioni Evropian.

Sipas saj, Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë që liberalizmi i vizave për Kosovën, të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Në raportin aktual theksohet që të gjithë kriteret janë përmbushur, ku Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë liberalizmin e vizave për Kosovën, që të ndodh sa më shpejt që të jetë e mundur.  Mendoj që kjo është gjuha më e fortë që kemi pa deri më tani në raport, që të gjitha shtetet anëtare të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Apostolova.

Lexo po ashtu Apostolova: Emërimi i kriminelëve të luftës në pozita të larta qeveritare është zhgënjyese

Ndryshe, në raportin e KE-së për Kosovën, është bërë e ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike. /Telegrafi/