Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB ritheksoi se nga dy kushtet e mbetura, demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit, ky i pari mbetet kushti kryesor për liberalizimin e vizave.
“E di se disa prej jush nuk mendoni se është e drejtë, por për fat të keq dëshiroj të ritheksoj se procesi i zgjerimit nuk është gjithmonë i drejtë. Unë vij prej një shteti të vogël. Edhe ne është dashur të bëjmë aq shumë që të marrim vendime të vështira që të jemi anëtare e BE-së. Ky është një klub ku rregullat i përcaktojnë ata, ndërsa ne duhet t’i përmbushim”, u shpreh ajo.
Apostolova këtë kusht të BE-së ndaj Kosovës e arsyetoi duke thënë se më parë kanë qenë dy shtete anëtare të cilat kanë pasur problem me përcaktimin e kufirit dhe, sipas saj, “këtë BE-ja nuk ka dashur ta lejojë që të ndodh edhe me Kosovën edhe Malin e Zi”.
Ajo gjithashtu shtoi se demarkacioni ka qenë çështje shumë teknike, por që është shndërruar në çështje shumë politike. Ndërsa, sa i përket mundësisë se Kosova mund të humbas territore dhe se një mundësi e rinegociimit mes palëve mund të jetë një opsion pas legjislacionit të ri në Kosovë, Apostolova tha se BE-ja do ta pranojë çdo zgjidhje që vjen mes Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin. /Telegrafi/