Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin nga akuza të katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.
Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit është refuzuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Themelores i datës 7 nëntor 2022.
Për rastin “Falja e Hidrocentraleve”, katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2 akuzoheshin se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së KEK-ut.
Ish-zyrtarët patën votuar që Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, ai në Dinakcë dhe Hidrocentrali i Radavcit të kalojnë në pronësi të kompanisë “Limak-Calik”. /Telegrafi/