Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë, kishte shqiptuar ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
Gjithashtu, dënimi me burg me efektiv prej një viti, gjykata e shkallës së dytë ia ka vërtetuar edhe të akuzuarit tjetër, Muharrem Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kështu, Gjykata e Apelit ka njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe avokatëve mbrojtës.
“A.A. dhe M.R. janë shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për veprën penale të detyrimit në tentativë, nga neni 267 paragrafi 2, lidhur më paragrafin 1, lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës(KPK), dhe janë gjykuar, i pari më dënim më burgim në kohëzgjatje prej 9(nëntë) muajve, ndërsa i dyti më dënim më burgim në kohëzgjatje prej 1(një) viti. Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar, nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk është shkelur ligji penal dhe se gjendja faktike, është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë. Apelit vlerësoj se dënimi i shqiptuar është në proporcion më shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë se akuzuarve dhe në funksion të qëllimit të përcaktuar me ligj”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtor Ademin dhe Ramën për veprën penale, detyrim në tentativë.
Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.