Gjykata e Apelit ka reaguar pas sqarimit që bëri ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett lidhur me të liruarin nga burgu në rastin “Kukës”.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, gjatë muajit maj, fillimisht e ka refuzuar ankesën e të burgosurit për pezullim të dënimit pasi që kërkesa është bazuar vetëm në raportin e kolegjiumit të mjekëve të një spitali në Republikën e Turqisë.
Më pas i burgosuri kërkesës ia ka bashkangjitur edhe Raportin e profesional të Kolegjiumit të Mjekëve të QKUK-së, sipas të cilit sëmundja më të cilën është diagnostifikuar ai nuk mund të trajtohet në institucionet publike shëndetësore brenda Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
“Nisur nga këto fakte dhe në zbatim të konventave ndërkombëtare, sipas të cilave “mos trajtimi adekuat i të burgosurit konsiderohet trajtim çnjerëzor” , konventa këto që Kosova është e obliguar t’i zbatoj, e po ashtu duke marrë për bazë edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e Njeriut në Strasburg, është vendosur pezullimi i përkohshëm i dënimit pë gjashtë muaj.
Ky vendim është marrë më qëllim që personit që fjalë t’i ofrohet trajtim adekuat shëndetësor. Andaj në referencë të këtyre normave, dhe duke pasë parasysh se Gjykata vendos në bazë të shkresave të lëndës, mendimi i eksperteve ka qenë determinues”, thuhet tutje.
Gjithashtu, thuhet në reagimin e Apelit, në marrjen e këtij vendimi gjykata ka pasur parasysh faktin se vetëm gjatë këtij viti, sipas shifrave zyrtare, në institucionet korrektuese kanë vdekur pesë të burgosur, shifër kjo tejet shqetësuese.