Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, me të cilën, ishte lënë në fuqi urdhri për caktimin e përmbarimit për një shumë rreth 25 milionë eurove.
Këtë shumë, Telekomi obligohet që t’ia paguajë kompanisë Dardafone.net që është pronare e Z-Mobile.
Në muajin korrik të këtij viti, Gjykata Themelore e kishte miratuar pjesërisht prapësimin e Telekomit, ku e kishte shfuqizuar urdhrin për caktimin e përmbarimit në shumën prej rreth 316 mijë eurove.
Lidhur me këtë, Themelorja e kishte refuzuar prapësimin e Telekomit për sa i përket shumës prej 24 milionë e 685 mijë euro dhe për këtë pjesë, urdhrin për caktimin e përmbarimit të lëshuar nga përmbaruesi e kishte lënë në fuqi.
Kundër këtij vendimi të shkallës së parë, ankesë kishte bërë Telekomi, për shkak të pretendimeve se shkalla e parë kishte shkelur dispozitat e procedurës përmbarimore dhe kishte zbatuar në mënyrë të gabuar të drejtën materiale.
“Duke marr parasysh pretendimet tjera ankimore të cilat konsistojnë ndaj aktvendimi të atakuar, gjykata e shkallës së dytë konsideron se këto pretendime ankimore janë të pabazuara, ngase nuk kemi të bëjmë me shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore dhe as të Ligjit të Procedurës Kontestimore, të cilat shkelje kjo gjykatë i vështron sipas detyrës zyrtare në kuptim të nenit 194 të LPK-së”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sot janë bllokuar xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës si pasojë e borxhit ndaj Z-Mobile.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.
“Po, llogaritë janë bllokuar. Kjo është bërë me kërkesë të kompanisë Z-Mobile, si pasojë e borxhit”, tha Balaj.
Po ashtu, xhirollogaritë e Telekomit ishin bllokuar, pasi kjo e fundit e ka humbur një rast në Arbitrazh nga Z-Mobile. Përmbaruesit kanë bllokuar llogaritë, duke kërkuar shlyerjen e borxhit të përmbarimit. /Telegrafi/