Site icon Telegrafi

Apeli i kryeministrit Kurti: Kapërcejini paragjykimet për vaksinat, vaksinohuni!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje edhe një herë që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19.

Në një videomesazh ai ka thënë se sot u tejkalua administrimi i 1.6 milionë vaksinave, 64 për qind janë vaksinuar me një dozë dhe me dy doza mbi 56 për qind.

“Në 30 ditët e fundit, gjithsej, kemi numër një shifror të vdekjeve, ndërsa dy javët e fundit ka rënë me dy të tretat numri i infeksioneve. Por, asgjë nuk ka përfunduar. Në veçanti tani kur kemi dy variante në qarkullim: varianti Delta që është akoma dominues dhe varianti Delta Plus, i cili në bazë të të dhënave të deritashme përhapet edhe më shpejt. Prandaj duhet të përgatitemi më mirë që të parandalojmë një vale të re të këtij varianti super shpërndarës”, tha Kurti, përcjell Telegrafi

“Ata që kanë ende dyshime, ju bëj apel që për hir të shëndetit personal, të familjes dhe shoqërisë, t’i kapërcejnë paragjykimet për vaksinat”, ka thënë ai.

Kurti iu ka bërë thirrje të posaçme prindërve dhe mësimdhënësve që t’i inkurajojnë sidomos të rinjtë që të vaksinohen.

Ai ka shtuar që qytetarët ta shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit pa pasur nevojë për termin dhe në cilëndo komunë që ata duan.

Kurti e quajti gjendjen në Kosovë me pandeminë, më të mirën në rajon dhe Evropë. /Telegrafi/

Exit mobile version