Site icon Telegrafi

Apeli i gruas: Shpëtova nga burri i dhunshëm, po s’kemi bukë

Këtë herë në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, personazhi në studio ishte një 38-vjeçare nga Burreli, të cilën jeta e ka sfiduar me një martesë të dhunshme. Gruaja e martuar në moshë shumë të re dhe në një diferencë të madhe në moshë me bashkëshortin, ka vuajtur dhunën në kurriz për vite me radhë. Bashkëshorti 60-vjeçar aktualisht gjendet në paraburgim pikërisht për shkak të dhunës, por ende nuk është dënuar.

“Nuk më tregoi kur e mora që ishte 22 vite më i madh se unë. Ka qenë 40 vjeç atëherë, kur e mora unë. Unë atëherë kam qenë 20 vjeçe. Ai është martuar disa herë, ka 3-4 fëmijë, 2 vajza i ka të martuara. Është martuar disa herë, por nuk ia njoh gratë e tjera, kanë ikur jashtë shtetit. Jam martuar pa dokumente”, tha ajo.

Martesa është bërë me shkuesi me miratimin e prindërve, por gruaja rrëfen se gjithmonë është dhunuar dhe madje torturuar. Nëna rrëfen se ajo që e ka mbajtur me të kanë qenë fëmijët, për hir të tyre ajo ka duruar gjithçka, por frika se mund të humbë jetën e ka sjellë sot në studio, për ti bërë një apel shtetit që ta ndihmojë.

“Nanë e babë nuk janë gjallë, por kur kanë qenë gjallë më kanë thënë e more vetë, për hatër të kalamajve duroje se e ke pëlqyer vetë. Nuk më kanë përkrahur motrat dhe vëllezërit se nuk i do në derë, edhe për vëllain e vete më ka nxjerr fjalë të kota, të ka kap ky. Të dy palët na kanë ndihmuar te Bashkia e Burrelit dhe Kisha. Edhe burri punonte tokat e fshatarëve të tjerë, më shumë paratë i harxhon me pije alkoolike”, u shpreh ajo.

Nëna jeton e vetme me 5 fëmijët e saj të cilët gjithashtu kanë përjetuar dhunën e babait që ndodhet pas hekurave.

“Një muaj ka bërë që ka hy në burg. Kanë ardhur komshinjtë që kanë ndërhy. I thanë: ‘Ça je t’u bo?’ Mua më dilte gjak nga goja. Kjo është dhuna e tmerrshme që është fut burg. I ka thënë komshinjve që do e nxjerr nga shtëpia së bashku me fëmijët. Më ka thënë përherë dil, je e dalme, merr edhe kalamajtë. Mos i bjer në qafë i ka thënë vëllai i vet, e ke përjetë se është e re. Duhet t’ia dish për nder që të ka marrë.

Fëmijët kanë qenë prezent, më kanë thënë ‘Shko bo kërkesën o ma se ne nuk e duam atë babë’. Edhe fëmijët i ka rrahur disa herë, kishin turp ta denonconin. Në burg i kam çuar rroba për t’u ndërruar, por nuk më kanë pranuar rojet. Më kanë thënë për vërtetim dhe nuk ma kanë dhënë, se nuk kam dokumente që jam e martuar. E falja për hatër të kalamajve, më thoshin policia se ti nuk ke djalë dhe ky punon dhe i mban kalamajtë. E kanë fal edhe për hatër të moshës. E dinin ato”, tha ajo.

Aktualisht ajo jeton e kërcënuar nga kunati i saj i cili jeton në një banesë ngjitur me të, ky i fundit sipas saj i merr edhe asistencën që ajo përfiton me ligj. Veç kësaj situate familja po përballet edhe me varfërinë ekstreme. E vetmja ndihmë që zonja merr është nga komuniteti përreth i cili mesa duket e ka vënë dorën në zemër dhe shpesh herë i jep kësaj familjeje ndihma në ushqime e veshmbathje.

“Kunati më ka marrë inat se i kam futur vëllain e tij në burg. Edhe ai është ndarë më gruan e vet, pinë pije alkoolike. Edhe njerëzit e vet flasin keq për mua, do të vrasim, shtëpia nuk është e jotja. Nuk mund t’i mbaj bagëtitë, se bie borë dhe se drutë janë larg duhet t’i mbaj në shpinë”, rrëfeu gruaja e cila druhet për jetën e saj. /BalkanWeb/Telegrafi/

Exit mobile version