Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Dushko Arsiq, i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 13 vjet burg
“APROVOHEN si të bazuara ankesat e të akuzuarit D.A dhe e mbrojtësit të tij av. Nebojsha Vlajiq, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.46/22 i datës 22.03.2024, ANULOHET dhe lënda kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ndaj vendimi të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i palës së dëmtuar A.K, avokati Arsim Krasniqi për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, duke i propozuar Gjykatës së Apelit që të miratojë ankesën dhe ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar.
Po ashtu, ankesë kundër vendimit të Themelores ka parashtruar edhe i akuzuari Arsiq me pretendimin se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe shkeljes së ligjit penal me propozim që Gjykata e Apelit e Kosovës të aprovojë ankesën, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar, dhe atë ta lirojë në mungesë të provave.
Gjithashtu, ankesë kishte ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arsiq, avokat Nebojsha Vlajiq, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimeve të gabuara dhe jo të plota të gjendjes faktike, duke i propozuar Gjykatës së Apelit të aprovojë ankesën dhe të ndryshojë aktgjykimin e ankimuar duke e liruar të akuzuarin në mungesë të provave ose lëndën ta kthejë në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa Prokuroria e Apelit, me anë të një parashtrese të datës 18 qershor 2024, ka propozuar që ankesa e përfaqësuesit të dëmtuarit A.K, Arsim Krasniqi, të hidhet poshtë si e palejuar dhe ankesa e ushtruar nga ana e të akuzuarit Arsiq dhe mbrojtësit të tij Vlajiç të refuzohen si të pabazuara dhe gjithashtu aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Gjykata e Apelit ka analizuar aktgjykimin e ankimuar dhe ka vlerësuar pretendimet e ankimuar të të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, si dhe përgjigjet e ankesave të ushtruara, duke bazuar ankesat e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij dhe të dëmtuarit, duke i konsideruar si jo lëndore.
“Ankesa e të akuzuarit D.A dhe av. Vlaic janë të bazuara, ndërsa ankesa e të dëmtuarit A.K e paraqitur përmes av. Krasniqi konsiderohet jo lëndore”, thuhet në vendimin e Apelit.
Pas vlerësimit të ankesave dhe shkresave të lëndës, Gjykata e Apelit, përmes vendimit të përpiluar më 4 nëntor 2024, ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të pretenduara nga ana e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit.
Në të gjeturat e Apelit thuhet se në aktgjykim gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare dhe nuk ka vlerësuar në mënyrë të plotë provat dhe dëshmitë. Gjithashtu, nuk janë sqaruar kontradiktat në dëshmitë e paraqitura dhe nuk janë dhënë shpjegime të mjaftueshme për to.
“Aktgjykimit i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, nuk janë vlerësuar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse dëshmitë dhe provat, nuk janë dhënëshpjegimet e nevojshme lidhur me kontradiktat në përmbajtjen e tyre”, thuhet në vendim.
Kolegji vëren se identifikimi i të akuzuarit D.A dhe deklaratat e të dëmtuarit A.K për ngjarjen nuk janë trajtuar si duhet. Po ashtu, përshkrimi i fakteve inkriminuese, si dëbimi, shpërngulja, vënia e zjarrit dhe vrasjet, nuk janë konkretizuar dhe nuk mbështetet në prova të mjaftueshme.
Kolegji ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë është e obliguar që provat e zbatuara në rishqyrtimin gjyqësor t’i analizojë dhe, pas vlerësimit të tyre, në pajtim me dispozitat ligjore, të nxjerrë përfundimin nëse faktet vendimtare të kësaj çështjeje janë të provuara.
Gjithnjë sipas Apelit, Themelorja duhet të japë arsye dhe shpjegime të plota për rrethanat që ka përshkruar i dëmtuari-dëshmitari, i cili e ka identifikuar të akuzuarin si person “me shami në kokë dhe i uniformuar me maicë me lara”.
Sipas Apelit, këto rrethana, objektivisht, e vështirësojnë identifikimin e saktë të një personi.
Apeli ka udhëzuar se Themelorja duhet të sqarojë se si ka arritur në përfundimin për një identifikim të saktë dhe cilët faktorë shtesë e kanë mbështetur këtë identifikim përkundër vështirësive, se nëse i dëmtuari e ka njohur më parë të akuzuarin, është e domosdoshme që gjykata të sqarojë këtë njohje të mëparshme, duke përfshirë rrethanat në të cilat është realizuar njohja.
Gjithashtu Apeli vëren se në dëshmitë e dëshmitarëve të cituar ekzistojnë kundërthënie të konsiderueshme, të cilat janë të papajtueshme me faktet vendimtare, ku këto kundërthënie lidhen me përmendjen e emrit të të akuzuarit D.A. nga i dëmtuari A.K., duke ngritur dyshime mbi saktësinë dhe qëndrueshmërinë e provave të paraqitura.
Gjithashtu në të gjeturat e Apelit thuhet se, përshkrimi i veprimeve inkriminuese në dispozitiv është tepër i përgjithshëm, si në aspektin kohor (periudha janar-qershor 1999), ashtu edhe në lidhje me veprimet konkrete për të cilat i akuzuari është shpallur fajtor dhe dënuar.
Sipas Apelit, për pjesëmarrjen në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve të Prishtinës dhe rrethinës, përshkrimi përfshin një hapësirë të gjerë gjeografike, e cila nuk është përcaktuar mjaftueshëm dhe mungojnë të dhëna specifike për vendndodhjen e saktë ku janë kryer këto veprime.
“Përshkrim i tillë i veprimeve inkriminuese është mjaft gjeneralizues si në aspektin e periudhës kohore Janar – Qershor të vitit 1999, ashtu edhe të veprimeve konkrete inkriminuese për të cilat është shpall fajtor dhe dënuar i akuzuari”, thuhet në vendimin e Apelit.
Kolegji i Apelit gjithashtu vëren se përmbajtja inkriminuese në dispozitivin e aktgjykimit, që lidhet me dëbimin, shpërnguljen e qytetarëve shqiptarë civilë, vënien e zjarrit të shtëpive, keqtrajtimet, plagosjet dhe vrasjet, përveç rasteve që lidhen me tani të ndjerin I.Sh. dhe të dëmtuarin A.K., nuk përputhet me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Provat dhe dëshmitë e paraqitura kanë për qëllim të mbështesin akuzat e përcaktuara në aktakuzë. Për këtë arsye, duhet të ketë një lidhshmëri të qartë midis masës inkriminuese dhe provave të shqyrtuara”, theksohet në vendimin e Apelit.
Tutje, Gjykata e Apelit ankesën e mbrojtësit të të dëmtuarit A.K, avokat Arsim Krasniqi, e ka konsideruar si jo lëndore, meqenëse aktgjykimin e ka anuluar dhe e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.
Shkalla e dytë vlerëson se aktgjykimi i Themelores përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, dhe gjithashtu ka udhëzuar se në rigjykim dhe rivendosje gjykata e shkallës së parë duhet te bëjë.
“Vlerësimin e dëshmisë së të dëmtuarit A.K., si dhe të dëshmive të dëshmitarëve të tjerë, në lidhje me identifikimin e të akuzuarit, të shpjegojë mospërputhjet dhe paqartësitë në dëshmitë e tyre, të dhëna gjatë fazës hetimore dhe shqyrtimit gjyqësor. Adresojë pretendimet që lidhen me raportin e ekzaminimit balistik të fragmenteve metalike. Si dhe të marrë parasysh vërejtjet mbi përshkrimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit dhe të sigurojë konkretizimin dhe specifikimin e tyre”, thuhet me tej në vendimin e Apelit.
Sipas Apelit, Themelorja duhet të sigurojë që përshkrimi faktik i veprimeve inkriminuese në dispozitivin e aktgjykimit të përputhet me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Gjykata e Shkallës së Parë duhet të eliminojë shkeljet e sipërpërmendura duke vlerësuar plotësisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha provat, si individualisht, ashtu edhe në unitetin e tyre. Pas kësaj, duhet të arrijë në përfundime të qarta për faktet vendimtare që dalin nga materiali provues dhe të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në vendimin e Apelit.
Në vendimin e Apelit thuhet se i akuzuari do të mbetet në paraburgim deri në vendimin e ardhshëm të Gjykatës Themelore – Departamenti Special, e cila do të shqyrtojë nëse kjo masë do të vazhdojë ose jo.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.
Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.
Arsiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këtë, Arsiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.