Site icon Telegrafi

Apeli anulon aktvendimin e Gjykatës Themelore për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj pesë të dyshuarve në rastin e 11-vjeçares

Gjykata e Apelit të Kosovës, Departamenti për të mitur, ka aprovuar si të bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si dhe ka anuluar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilat janë hedhur si jo të plota aktakuzat ndaj pesë të dyshuarve për rastin e dhunimit të 11-vjeçares. 

Sipas njoftimit për media thuhet se Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, respektivisht propozimit është si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimet ankimor të anulohet dhe çështjet të kthehen në rivendosje.

Lexo po ashtu Hidhet aktakuza ndaj pesë të akuzuarve lidhur me dhunimin e 11-vjeçares

“Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndëve, aktvendimeve ankimore dhe ankesave të Prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktvendimet e ankimuara duhet anuluar dhe kthyer çështjet në rivendosje, për shkak se aktvendimet janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje të mjaftueshme ligjore kur ka hedh aktakuzat e lartcekura, respektivisht arsyet të cilat janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në  Prishtinë, Departamenti për të Mitur, e kishte hedhur poshtë aktakuzën e ushtruar ndaj pesë të dyshuarve: E.R. dhe Sh.K, (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022.

Aktvendimi ishte marrë nga gjyqtari Adnan Isufi, ku sipas tij, aktakuza, përkatësisht propozimi në gjashtë pika është i pa plotë. /Telegrafi/ 

 

 

Exit mobile version