Telegrafi

Anulohet raportimi për Demarkacionin me Malin e Zi

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Murat Meha nuk do të raportojë sot para Komisionit për Integrime Evropiane.

Anulimi i raportimit të Mehës është bërë për shkak se shumica e deputetëve të cilët janë anëtarë të këtij Komisioni nuk janë të pranishëm në Kosovë.

Kryetarja Njomza Emini nga LDK-ja, është në një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës derisa nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti është në disa aktivitete jashtë vendit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka konfirmuar se mbledhja e paraparë për sot është anuluar.

“Më kanë njoftuar se mbledhja e sotme e orës 11:00 është anuluar. Nuk ka kuorum dhe kjo është arsyeja për anulim, ka thënë shkurt ai.

Nga ana tjetër, edhe Murat Meha ka deklaruar se mbledhja e sotme është anuluar.

Ndërkohë që është shprehur i gatshëm të raportojë para Komisionit për të gjeturat dhe procesin e demarkacionit me shtetin fqinj.

“Ne jemi komision i krijuar nga Qeveria dhe i përgjigjemi ftesës së saj, kështu që për ne nuk ka asnjë problem për të prezantuar atë që është arritur në dokumentacionin që është faktik dhe zyrtar për shtetin e Kosovës”, është shprehur ai. /Indeksonline/