Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero konfirmoi zërat se raporti për metodologjinë e re të negociatave nuk do të publikohet më 29 janar ashtu siç pritej, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Pisonero tha se Komisioni Evropian kurrë nuk kishte njoftuar zyrtarisht se raporti do të publikohej më 29 janar dhe konfirmoi se nuk do të ketë raport në atë datë. Pritjet në qarqet diplomatike në Bruksel janë që metodologjia do të publikohet një javë më vonë, më 5 shkurt, informon “Telma”.
Raporti për metodologjinë e re të negociatave të BE-së në procesin e zgjerimit është një nga kushtet informale të kërkuara nga Franca, një gjendje që mbështetet nga një numër vendesh të tjera anëtare të BE-së.
“Ne jemi në procesin e përfundimit të raportit dhe ai do të publikohet në javët e ardhshme. Qëllimi është që procesi i anëtarësimit të bëhet më i besueshëm, efikas dhe më dinamik. Qëllimi ynë nuk është të hartojmë proces të ri, por të forcojmë atë ekzistues, ndërsa qëndrojmë prapa rekomandimit tonë për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne thamë se ata përmbushën atë që kërkohej prej tyre dhe ishte koha që BE-ja të mbajë premtimin e saj”, tha Pisonero./Telegrafi/