Vendimi që doli para pak ditësh ka treguar për ulje të buxhetit edhe për festivalet si Skena Up, Chopin Piano Fest e DAM fest. Këto dy të fundat, bashkë me PriFilm kanë edicionet e tyre shumë shpejt, prandaj duken më të alarmuara. Skena UP, në anën tjetër, edicionin e radhës e ka në dhjetor të këtij viti dhe është dëmtuar për 11 mijë euro nga Ministria e Kulturës.
Ministria e Kulturës së fundmi ka terrorizuar një pjesë komunitetit artistik, sidomos disa prej festivaleve kryesore në vend. Buxheti i alokuar nga kjo Ministri është zbritur dukshëm.
78 % është zbritja që i ka ndodhur festivalit PriFilmFest, kjo më e madhja në mesin e të tjerave ngurtësime të buxhetit. Nga 22 mijë euro sa ka marrë PriFilmFest vitin e kaluar, këtë vit janë alokuar vetëm 5 mijë euro.
“Me këtë zbritje drastike ne kemi vendosur që festivalin ta bartim në Tiranë, dhe festivali do të quhet PriFIlmFest në Ekzil. Ne jemi vetëm 1 muaj para festivalit dhe kjo zbritje veç sa na ka gjetur të befasuar” thotë Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit.
PriFilmFest tanimë i ka blerë edhe biletat për disa nga pjesëmarrësit që parashihej të ishin pjesë e festivalit. Njëjtë, festivali thotë se me 5 mijë euro është e pamundur të organizohet një festival, e në këtë kohë të shkurtër është e pamundur edhe gjetja e fondeve me anë të alternativave tjera.
“Kemi ardhur në këtë vendim për shkak të tri elementeve. E para, sepse kemi zbritjen më të madhe në përqindje dhe në sasi, e dyta sepse Ministria e ka ngurtësuar edhe Teatrin Kombëtar, institucionin me të cilin ne kemi pasur bashkëpunim për disa vite dhe as aty nuk na lejohet mbajtja e festivalit, si dhe mendojmë se këto shenja tregojnë që kjo Ministri nuk e do këtë festival dhe mirëqenien e tij” thotë Fatos Berisha nga PriFilmFest. /Telegrafi/KultPlus/