Vetëm disa ditë pasi e kualifikoi Argjentinën në Kampionatin Botëror, Lionel Messi është gati për një “het-trik” tjetër.
Futbollisti argjentinas dhe gruaja e tij, Antonella Roccuzzo, kanë bërë të ditur se janë në pritje të fëmijës së tretë.
Lajmin e ka konfirmuar gruaja e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e ka publikuar një fotografi të përbashkët me Messin dhe fëmijët e tyre, Mateo dhe Thiago.
“Familja pesanëtarëshe”, ka shkruar Antonella në përshkrim derisa burri i saj ia prek barkun.
Messi dhe partnerja e tij e kurorëzuan me martesë këtë verë lidhjen e tyre disavjeçare.
Njoftimi se çifti është në pritje të fëmijës së tretë vjen pas një jave të paharrueshme për 30-vjeçarin.
Ai shënoi het-trik kundër Ekuadorit duke ia siguruar Argjentinës pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, ‘Rusia 2018’.
Edhe Messi e ka publikuar gjatë fundjavës një fotografi, ku ka pozuar me djemtë e tij. /Telegrafi/